Kombëtare

Prishtina s’ka përfunduar hartën zonale, edhe pse nisi hartimin më 2018

Komuna e Prishtinës nuk e ka përfunduar hartën zonale që nga viti 2018, kur kishte nisur hartimi i saj.

Opozita thotë se një ndër dokumentet më të rëndësishme për planifikimin hapësinor dhe urbanistik është dashur të finalizohet në shtator të 2019-s, raporton KTV.

Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se komuna, hartimin e saj po e mban qëllimisht të bllokuar.

Vonesat në hartimin e hartës zonale, sipas LDK-së, assesi nuk arsyetohen.

Që nga viti 2013, kur është ndryshuar Ligji për planifikimin hapësinor, të gjitha komunat obligohen ta kenë hartën zonale. Por që atëherë, asnjë komunë, përfshirë edhe Prishtinën, nuk e ka përfunduar këtë dokument, pasi udhëzimi administrativ për këtë u miratua në vitin 2018.

Kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti është shprehur i bindur se harta zonale do të miratohet këtë vit.

“Synimi kryesor është që t’i mënjanojmë shpërputhjet mes hartës zonale dhe planit zhvillimor, jemi duke punuar në anketën e banimit, në mënyrë që ta kemi propozimin që do të vihet në diskutim publik dhe pastaj do të kalojë në kuvend komunal”, ka thënë Ahmeti në emisionin 038 të KTV-së.

Ai i ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në diskutimet publike që do të organizohen para se harta zonale të dërgohet në Kuvendin Komunal për miratim.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483