SPORT

Prishtina nis me fitore edicionin pranveror

Prishtina e ka nisur me fitore edicionin pranveror në Superligën e Kosovës, teksa kanë mposhtur Drenicën me rezultat 3-1.

Kryeqytetasit e nisën më mirë ndeshjen dhe në minutën e 13-të gjetën golin e epërsisë.

Sulmuesi Alban Shillova u fut bukur brenda zonës dhe me një gjuajtje të mirë realizoi për epërsinë e kryeqytetasve 1-0.

Prishtina vazhdoi iniciativën në pjesën e parë, derisa rast të mirë patën edhe me Leonit Abazin, por që goditja e gjilanasit u prit nga Ymeri.

Krejt në fund të pjesës së parë, mysafirët nga Skenderaj barazuan shifrat në 1-1.

Ishte sulmuesi brazilian Denilsson që realizoi me një goditje të fuqishme.

Kësisoj 45 minutat e para përfunduan me rezultatin baras.

Prishtina luajti shumë më mirë në pjesën e dytë dhe ishte më këmbëngulëse në ofensivë.

Kur kaluan një orë lojë, Besnik Krasniqi harkoi bukur në zonë, derisa gabimin e portierit Ymeri e shfrytëzoi Leonit Abazi që shënoi për 2-1.

Nëntë minuta më vonë kryeqytetasit gjetën edhe golin e tretë dhe të sigurisë.

Besnik Krasniqi përsëri asistoi, derisa me kokë shënoi Gentian Muça për 3-1.

Përkundër disa rasteve tjera për shënim, deri në fund gola më nuk pati dhe ndeshja përfundoi 3-1 në të mirë të Prishtinës.

Me këto tri pikë, prishtinasit vazhdojnë të jenë në vendin e tretë me 35 pikë, nëntë më pak se lideri Drita.