SPORT

Prishtina më në fund e arrin fitoren e parë të sezonit, me mund Dukagjinin me 10 lojtarë

Prishtina e ka arritur më në fund fitoren e parë të sezonit të ri 2021/22 në Superligë, duke e mundur mezi 2:1 Dukagjinin me 10 lojtarë.

Mendurim Hoti dhe Besnik Krasniqi ia siguruan tri pikët e para të plota klubit nga kryeqyteti duke e përmbysur rezultatin në Klinë, pasi Ardian Dallku i kishte kaluar vendasit në epërsi në pjesën e parë.

Prishtina po vinte në këtë takim pas dy humbjeve dhe dy barazimeve në katër ndeshjet e para, e vetëdijshme se një dështim tjetër do ta thyente rekordin e klubit për startin më të dobët të sezonit në histori.

Dhe kështu u kuptua në 60 minutat e parë të takimit, pasi Dallku shënoi për epërsinë e Dukagjinit në minutën e 35-të.

Por Hoti e ktheu skuadrën bardhekaltër në lojë duke shënuar me gjysmë vollei për ta barazuar rezultatin kur akrepat shënonin një orë lojë.

Dukagjini mbeti me një lojtar më pak në fushë në minutën e 79-të, kur Elton Basriu u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë pasi e preku topin me dorë në zonë dhe shkaktoi penallti.

Krasniqi shënoi nga pika e bardhë me shumë gjakftohtësi për t’ia dhënë Prishtinës fitoren e parë këtë vit.

Nuk ka qenë një fillim i mbarë i sezonit për skuadrën e Zekirija Ramadanit, por triumfi në Klinë e ngre atë në pozitën e shtatë me pesë pikë, gjashtë më pak se lideri, Ballkani.

Dukagjini, i sapopromovuar në elitë, është ende në kërkim të fitores së parë, pas dy barazimeve dhe tri humbjeve.

Prishtina udhëton drejt Drenasit javën e ardhshëm për t’u përballur me Feronikelin, ndërsa Dukagjini takohet me Ulpianën.