SPORT

Prishtina fiton me lehtësi ndaj Arbërisë, Llapi merr pikët e plota në Gjilan

Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 29-të në Superligë.

Prishtina ka realizuar fitore komode në duel me skuadrën e parafundit në renditje, Arbërinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultat 2:0.

Me këtë fitore prishtinasit ruajnë hapin me dy konkurrentët e tjerë në garën për titull, Dritën dhe Ballkanin, derisa Arbërinë e pret punë e vështirë për ta siguruar mbijetesën.

Golat për Prishtinën i shënuan Gauthier Mankenda (5’) dhe Besnik Krasniqi (11’ nga penalltia).

Ndërkohë, fitore tejet të rëndësishme si mysafir ka realizuar Llapi, që e ka mundur Gjilanin, me rezultat 2:0.

Të dy gola për llapjanët i shënoi Edon Sadriu. Ky i fundit i realizoi ish-skuadrës së tij në minutat e 20-të dhe 53-të.

Me këtë fitore Llapi ngjitet në kuotën e 36 pikëve, derisa Gjilani mbetet në kuotën e 43 pikëve. /Kosova.info/