SPORT

Prishtina bën mrekullinë në fund të takimit, e lë të hapur luftën për titull

Në minutat e fundit të lojës shtesë, Prishtina ka siguruar mbetjen në luftë për titull të kampionit të Kosovës. Hero i prishtinasve është Mërgim Pefqeli, që shënoi me kokë në minutën e 4 shtesë, kundër Lirisë në Prizren.

U mendua se klubi i futbollit Drita nga Gjilani, kishte kryer punë me kampionatin në Kosovë më parë seç pritej. Në ndeshjen e sotme, Drita ka shënuar fitore 3 me 1 kundër Trepçës ’89 në Mitrovicë.

Drita ishte në disavantazh në pjesën e parë të takimit, pas golit që pësoi herët. Qysh në minutën e pestë, Otto John i Trepçës, ia “shkundi dritat” klubit nga lindja.

Por në pjesën e dytë të takimit, Drita u shfaq ndryshe në fushë. Ishte fillimisht Astrit Fazliu që me dy gola të shpejtë e ktheu në favor të gjilanasve takimin. Ai shënoi njëherë në minutën e ’51 dhe njëherë tjetër fiks dhjetë minuta më vonë.

Rezultatin përfundimtar në 3 me 1 e shënoi Fidan Gërbeshi, në minutën e ’77.

Prishtina mbetet në luftë për titull kampionit, i cili do të përcaktohet në xhiron e fundit, kur Drita e Prishtina takohen direkt në Pejë. Dritës në atë ndeshje do t’i mjaftonte edhe barazimi, derisa Prishtina duhet të fitojë me epërsi prej dy golash, për të siguruar parakulaifikimet për Ligën e Kampionëve.

Prishtina e ka të sigurt për herë të dytë radhazi parakualifikimet për Ligë të Evropës, si finalist i Kupës së Kosovës. Pavarësisht nëse fiton apo jo kundër Vllaznimit, Prishtina e ka të sigurt pjesëmarrjen në këto parakualifikime, për shkak se klubit nga Gjakova i mungon licenca për gara evropiane.