Kombëtare

Prishtina anulon kushtet e ndërtimit për lagjen në Badovc

Lagjja e kundërshtuar pranë Liqenit të Badovcit nuk do të ndërtohet. Kjo pasi Komuna e Prishtinës ka anuluar kushtet e ndërtimit për këtë projekt, të cilat i kishte lëshuar palës në dhjetorin e 2019-s.

Vendimi është marrë më 12 mars, tri javë pasi Ministria e Ambientit, atë kohë e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, përmes një vendimi kishte obliguar Komunën t’i anulojë kushtet e ndërtimit.

Në arsyetimin e Komunës thuhet se Drejtoria e Urbanizmit ka vendosur në këtë mënyrë pas pranimit të vendimit nga Ministria dhe duke u bazuar në legjislacionin në fuqi.

Mirëpo, Rahman Haradini, pronar i hapësirës ku është planifikuar të bëhet ndërtimi, e ka vlerësuar këtë vendim të Komunës si shkelje të të drejtave të tij.

Haradini i ka konfirmuar televizionit që nëse nuk aprovohet ankesa e tij, ai do ta padisë Komunën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Njohësit e fushës së ndërtimit vlerësojnë se ka pak gjasa që pronari ta fitojë rastin në gjykatë.

Sipas Ramkut, në zonën pranë liqenit është i ndaluar çfarëdo ndërtimi.

Ndërtimi ishte kundërshtuar nga mijëra qytetarë, me arsyetimin se ai do të dëmtonte ujin nga i cili furnizohen rreth 200 mijë banorë të kryeqytetit.

Komuna kishte refuzuar dy herë kërkesën e pronarit për lëshim të kushteve, por Komuna ishte detyruar t’i lëshonte të njëjtat pas dy vendimeve obliguese të Ministrisë së Ambientit.

Njëri vendim ishte nxjerrë në vitin 2018, kur ministria drejtohej nga Albena Reshitaj, ndërsa vendimi i dytë më 2019, kur ministër ishte Fatmir Matoshi.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.