Kosova

“Presidentja nuk e fali asnjë të burgosur, kjo është zhgënjyese”

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se të burgosurve duhet t’u kompensohen ditët e vikendit që nuk kanë mundut t’i shfrytëzojnë për t’i takuar familjarët e tyre gjatë kohës së pandemisë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala thotë se gjendja e të burgosurve është rënduar mjaft shumë, duke ju shkaktuar atyre probleme si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në shkeljen e të drejtave të tyre elementare, e krejt kjo si pasojë e pandemisë.

“Kur flasim për gjendjen nëpër burgjet e Kosovës duhet ta kemi parasysh që thuajse më shumë se një vit e kemi një gjendje të jashtëzakonshme, dhe nëse qytetarët që nuk janë nëpër burgje ballafaqohen me shumë probleme për shkak të pandemisë, atëherë kjo gjendje reflektohet shumë më tepër brenda burgjeve, për faktin se ata edhe ashtu janë të privuar nga liria. Ndërsa pandemia u ka shkaktuar shumë probleme, për ata që kanë qenë shfrytëzues të vikendit nuk kanë mundur të shkojnë në shtëpi, pastaj vizitat familjare apo vizitat e lira një kohë kanë qenë të ndaluara pastaj janë liruar pak, mirëpo kjo është e pamjaftueshme, dhe në aspektin shëndetësor kanë pësuar shumë, sepse nuk janë dërguar me kohë që të marrin trajtimin e duhur. Të burgosurve u janë shkelur të drejtat e njeriut”, tha Shala.

“Pandemia ka ndikuar edhe në anën psikike edhe tek këta që nuk janë nëpër burgje, dhe normalisht që duhet të kemi parasysh që psikologjia tek të burgosurit ndryshon, sepse kemi rrethana të ndryshme këtu, dhe në burg ndikon shumë. Kemi pasur dhe raste kur të burgosurit kanë bërë vetëvrasje, numri i tyre nuk është i madh krahasuar me jashtë por që ka lënë ndikim të madh tek të burgosurit”, deklaroi ai.

Shala e konsideron si zhgënjim të madh mos faljen e asnjë të burgosuri nga ana e Presidentes.

“Të burgosurve duhet t’u kompensohet disave që u është ndaluar gjatë kohës së pandemisë, duke përmendur këtu shfrytëzimin e vikendit, të drejtat e tjera dhe që nuk është marrë as nga gjykatat dhe nga ata që marrin vendime, ku ne kemi kërkuar lirimin e disa të burgosurve që nuk kanë paraqitur rrezik për sigurinë, dhe tek ne nuk ka fare të liruar, Presidentja s’e ka falur asnjë të burgosur, dhe gjykatat që është për çudi e që kanë pasur mundësi t’i lirojnë të burgosurit të cilët e kanë një sëmundje të pashëruar prej 25 rasteve nuk e kanë liruar asnjë, që është zhgënjim i madh për ne”, u shpreh tutje ai.

Po ashtu edhe këshilltari ligjor, Anton Nrecaj thekson që pjesa psikike është rënduar shumë tek të burgosurit, pasi u janë ndaluar shumë të drejta gjatë kohës së pandemisë.

“Fatkeqësisht pandemia ka ndikuar jo vetëm tek personat e privuar nga liria, por edhe tek qytetarët. Kur flasim për këtë kategori të caktuar atëherë që natyrisht vet situata e pandemisë e ka detyruar institucionin që disa të drejta që i kanë pasur personat e privuar nga liria të mos i realizojnë. P.sh vizitat familjare që janë të reduktuara ose fare nuk bëhen, dhe natyrisht që kjo ndikon në pjesën psikike të vuajtjes së dënimit të personave që janë nëpër burgjet e ndryshme, e pastaj pjesa tjetër ka të bëjë me një kategori tjetër që janë në paraburgim. Problemi kryesor qëndron tek benificionet dhe të drejtat që i kanë të garantuar me ligj të burgosurit”, tha Nrecaj.

Nrecaj thotë që ndalimi i kontakteve me familjarët ka qenë një problem në vete, duke përmendur edhe ata të burgosur që vazhdojnë studimet dhe problemet që kanë hasur në këtë drejtim.

“Këtu është krejt problemi, sepse varësisht prej rasteve nëse një i burgosur vuan dënimin varësisht prej veprës atëherë atij personi i lejohet kontakti me familjen e me bashkëshorten, dhe këto lloj kontakte nuk kam dijeni që kanë ndodhur. Ndërsa para pandemisë ka qenë më ndryshe. Ky është një beneficion që ata duhet ta gëzojnë, mandej pjesa tjetër është kur të burgosurit nga burgu vazhdojnë studimet, dhe duhet t’i nënshtrohen provimeve dhe të jenë fizikisht ose online dhe konsideroj që për të burgosurit që i kanë të ndaluara telefonat atëherë burgjet duhet t’i sigurojnë këto kushte”, përfundoi Nrecaj për Ekonomia Online.