Bota

Presidenti Trump shpreh nderimet për gjykatësen Ruth Bader Ginsburg

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe gruaja e tij Melania, shkuan të enjten në Gjykatën e Lartë për të shprehur nderimet për anëtaren e gjykatës më të lartë të vendit Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq të premten e kaluar.

Presidenti, i cili kishte vënë maskë, nuk bëri komente ndërsa qëndroi para arkivolit të zonjës Ginsburg, vendosur para ndërtesës së gjykatës.

Ai u prit me reagime pakënaqësie nga njerëzit që kishin shkuar të nderonin gjykatësen dhe me thirrjet “votoni kundër tij”.

Zonja Ginsburg u nderua të mërkurën me një ceremoni private në Sallën e Madhe të Gjykatës së Lartë, ku morën pjesë familja e saj dhe kolegët e saj anëtarë të gjykatës. Arkivoli i saj u zhvendos më pas para Gjykatës, që publiku të mund të shprehte nderimet deri të enjten në mbrëmje.

Të premten, do të ketë një ceremoni tjetër nderimi për gjykatësen Ginsburg, pasi arkivoli i saj do të vendoset brenda ndërtesës së Kongresit. Arkivoli do të vendoset mbi të njëjtën platformë druri të ndërtuar për arkivolin e Presidentit Abraham Lincoln pas vrasjes së tij në 1865. Zonja Ginsburg do të jetë gruaja e parë, trupi i së cilës vendoset në Kapitol për nderime shtetërore.

Ikona e të drejtave civile Rosa Parks u vendos për nderime në Rotundën historike të Kapitolit pas vdekjes së saj në 2005, një nder që bëhet për qytetarët e shquar privatë.

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara njoftoi me një deklaratë se zonja Ginsburg do të varroset javën e ardhshme në një ceremoni private në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit.

Kryetari i Gjykatës, John Roberts ofroi “ngushëllimet e përzemërta” të gjykatës për humbjen e zonjës Ginsburg, që siç tha ai “ndjehet gjerësisht, por ne e dimë që ajo është më e rëndë për familjen. Jeta e gjyqtares Ginsburg ishte një nga versionet e shumta të ëndrrës amerikane “

Zonja Ginsburg vdiq të premten e kaluar në moshën 87 vjeçare nga kanceri i pankreasit, duke mbyllur një mandat 27-vjeçar në gjykatën më të lartë të vendit. Statusi i saj si udhëheqëse e pakicës liberale të gjykatës, së bashku me punën e saj para se të bëhej anëtare, për barazi ligjore për gratë dhe vajzat në të gjitha sferat e jetës së Amerikës, e bëri atë një ikonë kulturore, duke i dhënë asaj pseudonimin “RBG e famshme”.

Vdekja e saj ka ndezur një betejë politike rreth zëvendësimit të saj. Zoti Trump dhe Republikanët e Senatit u zotuan të emërojnë dhe konfirmojnë një anëtare të re të gjykatës, para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, e cila do t’i jepte gjykatës një shumicë të konsoliduar konservatore 6-3. Presidenti Trump njoftoi të martën se do të emërojë kandidaten e tij për postin e përjetshëm të shtunën.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.