Kosova

Presidenti Thaçi kërkon dënimin e kriminelëve serbë që kryen gjenocid në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në Konferencën Vjetore të Prokurorëve të Kosovës.

Duke i përgëzuar prokurorët për punën dhe duke i inkurajuar për profesionalizëm dhe pavarësi nga ndikimet e jashtme, presidenti Thaçi ka folur për mosdënimin e kriminelëve serbë që kryen krime makabre ndaj popullatës civile në Kosovë.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova ka kaluar nëpër sisteme të drejtësisë në faza të ndryshme tash e mbi 20 vjet, ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mungesën e vendosjes së drejtësisë për viktimat e luftës.

Këtu presidenti Thaçi ka përmendur misionet për sundimin e ligjit që kanë qenë në Kosovë, duke përfshirë UNMIK-un, EULEX-in dhe paralelisht me to edhe Tribunalin e Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi, të cilat theksoi se nuk kanë bërë mjaft për dënimin e kriminelëve të Serbisë për vrasjet masive me qëllim të spastrimit etnik dhe as për dhunimin e mbi 20 mijë grave shqiptare.

Ky neglizhim, sipas presidentit Thaçi, përbën amnistim të këtyre krimeve nga drejtësia ndërkombëtare.

“Ne jemi dëshmitarë që ka rreth 13 mijë civilë shqiptarë të vrarë nga shteti i Serbisë, rreth 20 mijë gra të dhunuara dhe rreth 1300 fëmijë të vrarë, si dhe rreth 400 masakra të evidentuara. Të gjithë e dinë dhe askush nuk mund ta mohojë që ka pasur lëshime në procesin e ndjekjes së fajtorëve, ashtu siç ka pasur edhe një selektim etnik, ku Kosova edhe pse ka qenë viktimë është ndjekur e hetuar më shumë sesa Serbia, që ka qenë agresori që ka kryer gjenocid dhe spastrim etnik. Lirisht mund të them se Kosova është hetuar më shumë sesa krimet e luftës së dytë botërore”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se këto lëshime e kanë rënduar arritjen e paqes, pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi i ka inkurajuar prokurorët që të qëndrojnë larg ndikimit politik, por edhe larg ndikimit diplomatik. /Kosova.info/