Bota

Presidenti Erdoğan paralajmëron vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe në muajin shkurt

Duke theksuar se do të bëjë “një vizitë kthimi në shkurt” në EBA, Erdoğan tha se para vizitës së tij, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu dhe kreu i Shërbimit të Inteligjencës (MIT), Hakan Fidan, do të vizitojnë gjithashtu vendin.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se në muajin shkurt me një delegacion të madh do të realizojë vizitë kthimi në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne patëm një takim me (Princin e Kurorës së Abu Dhabit) Mohammed bin Zayed Al Nahyan në vitin 2011. Pas kësaj, kaluam disa periudha të ndryshme, por nuk u shkëputëm plotësisht. Të paktën, agjencitë e inteligjencës vazhduan bisedimet e tyre ndërmjet veti. Ndërkohë, marrëdhëniet tona tregtare kanë vazhduar gjithashtu”, u tha Erdoğan gazetarëve të dielën në aeroplanin që kthehej nga një udhëtim në kryeqytetin e Turkmenistanit, Ashgabat.

Duke përshëndetur vizitën e princit të kurorës së Abu Dhabi-t, presidenti turk tha se marrëveshjet e nënshkruara janë hapa të përzemërt që do të nisin një epokë të re midis Turqisë dhe EBA-së, duke e bërë atë të përhershme.

Duke theksuar se do të bëjë “një vizitë kthimi në shkurt” në EBA, Erdoğan tha se para vizitës së tij, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu dhe kreu i Shërbimit të Inteligjencës (MIT), Hakan Fidan, do të vizitojnë gjithashtu vendin.

“Pastaj në shkurt, shpresoj, do të shkoj me një delegacion të madh dhe do të bëjmë disa hapa të fuqishëm. Ata (EBA) prezantuan një plan investimi prej 10 miliardë dollarësh. Duke e vënë në praktikë këtë plan investimi, ne do të ndërtojmë një të ardhme shumë të ndryshme”, ai shtoi.

Për lidhjet me Izraelin dhe Egjiptin, Erdoğan tha se emërimet e ambasadorëve do të vendosen në një kalendar të caktuar pasi Turqia të vendosë për rrjedhën e marrëdhënieve me vendet.

Në disa nga këto vende janë ndërmarrë hapa në nivelin e të ngarkuarit me punë, tha ai, duke theksuar: “Nuk ka ambasador, por ka të ngarkuar me punë. Do të hedhim hapa gradualisht në bazë të një kalendari të caktuar. Ne do të ndërmarrim hapa të ngjashëm me të tjerët, ashtu siç kemi marrë me Emiratet e Bashkuara Arabe”.

Shfaq më shumë