Kosova

Presdienti Thaçi nuk e pёrfill propozimin e ministrit Konjufca pёr shkarkimin e ambassadorёve

Propozimi i ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufca, për shkarkimin e shtatë ambasadorëve nuk është përfillur nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili tha se ambasadorët do ta vazhdojnë punën në përputhje me ligjin. Për këtë refuzim të presidentit Konjufca tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, ditë më parë ka bërë publik propozimin për tërheqjen e shtatë ambasadorëve duke u bazuar në Ligjin për Shërbimin Diplomatik, Neni 2, pika 7.8, ku thotë se “Të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të misionit, që nuk janë anëtarë në detyrë të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, shërbejnë vetëm për një mandat dhe pas përfundimit të këtij mandati nuk konsiderohen pjesë e shërbimit të jashtëm”.

Po këtë nen e ka potencuar Konjufca me rastin e propozimit të tërheqjes për shtatë ambasadorët. “Fjala është për ambasadorë, të cilët kanë qëndruar në detyrë më gjatë se 4 vjet. Sipas Ligjit për MPJ-në dhe për Shërbimin e Jashtëm, ambasadorët politikë e kanë një mandat 4-vjeçar, pas të cilit u përfundon mandati”, ka thënë Konjufca.

Mirëpo një propozim të tillë nga ana e ministrit Konjufca nuk e ka përfillur presidenti i vendit Hashim Thaçi. Ai duke folur për këtë çështje ka thënë se ambasadorët do ta vazhdojnë punën në përputhje me ligjin. Në bazë të Udhëzimit Administrativ për Misionet e Republikës së Kosovës Jashtë Vendit, Neni 10, pika 2, thuhet se “Shkarkimi i ambasadorit, të ngarkuarit me punë ose konsullit të përgjithshëm nga misioni bëhet me dekret nga presidenti”, thuhet në këtë nen.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme Konjufca ka njoftuar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për refuzimin e presidentit për t’i shkarkuar ambasadorët.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.