Kosova

Premtohet vaksina, asnjë rezultat deri tash

Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndonjë datë konkrete se kur do të arrijë vaksina Pfizer në Kosovë.

Këtu u shtua pritshmëria e qytetarëve për të kaluar pandeminë Covid-19.

Në këtë konferencë të përbashkët të kryeministrit në detyrë Avdullah Hotit dhe ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemajt, që u mbajt në fillim të janarit u tha se janë siguruar 500 mijë doza të vaksinës Pfizer.

Ata premtuan se kjo vaksinë do të arrijë në fund të janarit në 2021.

Mirëpo pak ditë më pas përgjigjet e kompanisë Pfizer e demantuan lajmin e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Janarin e përmendi sërish vetë Zemaj në T7.

Premtime të tilla për ardhje të vaksinës pati plot.

E të njëjtat fjalë u përsëritën edhe nga anëtarë tjerë të LDK-së.

Por, derisa po përfundon muaji shkurt, Kosova mbetet ende vendi i vetëm në rajon pa u furnizuar me vaksinën kundër virusit korona.

Ndërkohë në përgjigjet e Ministrisë së Shëndetësisë për T7 u tha se nuk ka një datë konkrete se kur do të vijë vaksina Pfizer në Kosovë.

Mirëpo MSH bënë të ditur se vaksinat AstraZeneca/SKBio që janë siguruar nga Unicefi pritet të vijnë këtë javë.

E për sa i përket vaksinave që do vijnë si donacion nga organizata COVAX ende janë në bisedime për hapat e ardhshëm për sigurim të vaksinës.