OPINION

PRAPË ERDH MARSI I MBRAPSHTË

Shkruan: Luljeta Aliu
Në mars 1999 Kosova ishte në luftë për shkak të krimeve kundër njerëzimit. Njerëzit vriteshin e masakroheshin vetëm sepse nuk
ishin dorëzuar përpara agresionit millosheviqian, por kishin qëndruar të pathyeshëm në këmbënguljen e tyre për liri të Kosovës dhe dinjitet. Masakroheshin edhe civilistë, edhe fëmijë, edhe nëna shtatzëna me qëllim që të thyhej vullneti i tyre. Por qytetarët e dërrmuar nuk u dorëzuan. Prandaj, e gjithë bota që ishte dëshmitare, i doli në krah dhe intervenoi në Kosovë. Intervenoi që ky rajon të paqësohej përfundimisht, pas gjithë padrejtësive që i ishin bërë shqiptarëve në konferencat ndërkombëtare të vitit 1878 dhe 1913, kur pjesë të tokave shqiptare u ndanë pa e pyetur popullatën dhe u lanë nën sundim të huaj.

E gjithë historia e përgjakshme e rajonit është në pjesën e saj më të madhe përgjegjësi e fuqive të mëdha, të cilat përplasjet e tyre i kanë zhvilluar në Kosovë. Kosova ka qenë fushëbeteja mes Lindjes dhe Perëndimit në njërën anë dhe mes Islamit dhe Krishterimit/Ortodiksizmit në anën tjetër që prej qindra vitesh, që prej kohës së Bizantit. Kosova, e me të edhe historia dhe njerëzit e saj, janë kryqëzuar për së gjalli, në një kryq me horizontalen Lindje-Perëndim dhe vertikalen Krishterim-Islam. KOSOVA/SHQIPËRIA/BALLKANI ka qenë fushëbeteja dhe sakrifica e përhershme e fuqive të mëdha.

Në të shumtën e kohës, interesat e fuqive të mëdha kanë qenë strategjike. Por natyrisht, politikat e jashtme të shteteve ndikohen nga disa faktorë, ndër të cilët strategjia afatgjate gjeopolitike është një ndër faktorët kryesorë. Por, gjatë rrugës mund të ketë edhe faktorë të tjerë më afatshkurtë. Një ndër ta është edhe faktori njeri, që nënkupton se politika e jashtme e shteteve varet edhe nga politikbërësit, në këtë rast nga presidentët, apo kryeministrat, varësisht kush e ka kompetencën e formulimit të politikës së jashtme në atë shtet.

Për momentin, e gjithë bota, jo vetëm Amerika, janë duke e vuajtur zgjedhjen në detyrë katër vite më parë të Presidentit Trump, një njeri i paparashikueshëm dhe mbi të gjitha i paskrupullt në arritjen e qëllimeve të tij. Trump është shembulli i “homo economicus” në politikë par excellence. Një njeri i botës së biznesit, ku vetëm përfitimi personal ka vlerë dhe partnerët ruhen vetëm për aq sa ke nevojë për ta, vetëm për aq sa kanë vlerë për ty. Mendësia e “homo economicus” nuk i llogaritë pasojat e shkatërrimit të një partneri, sepse në ekonomi ka një mori mundësish zëvendësimi me kompani tjera. Ndërsa në botën e shteteve, në politkën ndërkombëtare, kjo funksionon ndryshe. Këtu, partnerët janë të limituar. Mbi të gjitha, rrezikimi për falimentimin e njërit partner nuk nënkupton se resurset e tij thjesht shpërndahen si flijim mes partnerëve tjerë, jo. Sepse këtu është edhe faktori njeri, jo-racional, me emocione, me identitet dhe poashtu i paparashikueshëm kur bëhet fjalë për sigurinë, krenarinë dhe identitetin e tij kombëtar.

Politika e presidentit Trump nuk është e menduar në plan afatgjatë. Kjo çfarë po ndodhë me presionin në lidhje me marrëveshjen me Serbinë dhe po manifestohet si presion për ta hequr tarifën 100% ndaj mallrave serbe, i përmban dy komponente. E para, marrëveshja me Serbinë pritet të shfrytëzohet si shembull suksesi gjatë zgjedhjeve të nëntorit të këtij viti në Amerikë, ku Donald Trump do të kandidojë prapë për postin e presidentit, me gjasë kundër demokratit Joe Biden. Gjatë zgjedhjeve në Amerikë, sukseset në fushën e politikës së jashtme zënë një vend të rëndësishëm dhe kandidatët mundohen të tregojnë sukseset e tyre që të marrin votat e qytetarëve. Presidenti Trump në Amerikë e përfaqëson krahun izolacionist, partikularist dhe protekcionist të politikës së jashtme amerikane, në dallim nga krahu universalist dhe uilsonian i demokratëve. Politika izolacioniste e Trumpit e ndërtoi edhe murin ndarës me Meksikën, gjë që është thyerje e të gjitha parimeve demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe madje edhe në kundërshtim me vete Kushtetutën e saj. Politika e Trumpit ka qenë thyerje edhe e një pjese të madhe të identitetit të politikës së jashtme amerikane të ndërtuar që nga Lufta e Dytë Botërore, i cili si një nga shtyllat kyçe kishte edhe bashkëpunimin në strukturat euro-atlantike, pra edhe në NATO. Trumpi ka qenë faktori kryesor i ashpërsimit të raporteve me Evropën, partnerin kryesor të Amerikës. Kjo nënkupton që ai është i gatshëm ta rrezikojë edhe raportin me Evropën, e sidomos Gjermaninë si fuqi qendrore të saj, për të arritur qëllimet e tij afatshkurtra personale dhe disa qëllime afatshkurtra strategjike siç janë përafrimi i mundshëm i Amerikës me Serbinë dhe Rusinë në lidhje me kërkesat e tyre ndaj Kosovës. Këtë do ta bënte për ndonjë përfitim sado të vogël, sepse Amerikës nuk i kushton me sigurinë e saj vitale, meqë një konflikt në Kosovë nuk i prek kufijtë e saj, meqë Amerika fizikisht është në largësi të sigurtë. Pra, Kosova për Trumpin është një monedhë e vogël. Mirëpo për Gjermaninë, një konflikt në Kosovë ka pasoja reale. Gjithashtu edhe për Zvicrën. Edhe për Francën. Së pari, do të vërshoheshin me refugjatë. E dyta do të duhej të mirreshin prapë me rajonin në mënyrë që të mos eskalojë situata më shumë. Dallimet mes politikave të jashtme të Evropës dhe Amerikës në raportet me Kosovën dhe zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi datojnë që prej para luftës së fundit në vitin 1999. Por kjo çfarë po ndodhë tani as që është politikë amerikane, kjo thjeshtë është politikë e Trumpit, i cili nuk gëzon përkrahje as në Amerikë në lidhje me shumë veprime të tij në politikën e jashtme. Amerika ka qenë çdoherë aleate e Kosovës. Por Trumpi jo. Madje është shumë lehtë e mundur që as vetë Trump nuk është mjaftueshëm i informuar rreth konfliktit kompleks të Kosovës, duke pasur parasysh telashet që i ka në politikë të brendshme dhe me COVID-19 për momentin.

Komponenta e dytë e presionit të Trump përmes ambasadorit Grenell është e gatuar në Kosovë. Kjo komponentë ka të bëjë me përfitimet personale të Hashim Thaçit, presidentit aktual të Kosovës dhe figurës kontraverse dhe të dyshuar për krime lufte në raportin e Këshillit të Evropës, të përgaditur nga deputeti zvicëran, Dick Marty. Ndaj tij dyshohet të ngritet aktakuzë edhe në Gjykatën Speciale të themeluar për përndjekjen e krimeve të luftës. Figura e Hashim Thaçit në literaturën e politikës ndërkombëtare trajtohet shpeshherë në kontekst të ndërlidhjeve të tij me nëntokën mafioze jo vetëm kosovare, por edhe të Ballkanit. Përkundër që Hashim Thaçi pretendon të udhëheqë me pjesën më të madhe të rezistencës së armatosur, pra UÇK, e cila ka luftuar kundër agresionit serb gjatë luftës dhe pas luftës u organizua në parti politike, tani në paqe, e ka gjetur një partner në Aleksandër Vuçiqin dhe presidentin Trump për ta jetësuar një marrëveshje të rrezikshme për Kosovën dhe me pasoja të panjohura në të ardhmen. Marrëveshja pritet të ketë si synim ndryshimin e kufijve në pjesën veriore të Kosovës, gjë që është kërkuar nga Aleksandër Vuçiq për përfitimi politike në rrafshin e politikës së brendshme. Në Kosovë flitet për negociata të fshehta që janë bërë mes dy presidentëve dhe marrëveshja e tyre mes veti po ju shërben të dyve për interesa personale politike, siç edhe po i shërben presidentit aktual amerikan, Donald Trump. Ky triumvirat mes tyre duket të jetë aq i pashpresë dhe i paskrupullt, saqë dje arriti që përmes lojërave politike ë organizojë një votim mosbesimi kundër një qeverie të sapozgjedhur në mënyrë demokratike dhe të përkrahur nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, mu gjatë një periudhe krize globale në përballjen me COVID-19. Kjo ishte një thikë prapa shpine për të gjithë ata qytetarë, të cilët kishin votuar me 6 tetor 2019 për këtë koalicion dhe të cilët tani janë në karantinë dhe nuk kanë as mundësinë e protestës.

Ky veprim i Lidhjes Demokratike të Kosovës, jo vetëm nga brenda Kosovës, por edhe nga partnerë ndërkombëtarë, të cilët i janë drejtuar me letra të hapura elitës politike duke kërkuar që të mos rrëzohet qeveria në këtë situatë pandemie, shihet si ndërveprim mes krerëve të LDK-së dhe presidentit Hashim Thaçi dhe konsiderohet si grusht-shtet. Lidhja Demokratike e Kosovës, në koordinim me Hashim Thaçin dhe ambasadorin Grenell, e mundësuan rrëzimin e qeverisë, e cila në krye të saj kishte një kryeministër të ri dhe energjik, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e kundërshton marrëveshjen e ngutur dhe jo-parimore me Serbinë, e cila do t’i ndryshonte kufijtë e Kosovës. Rrëzimi i qeverisë nuk kishte të bënte me shkarkimin e ministrit Agim Veliu, meqë edhe para se ai të shkarkohej, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ishte dakorduar me Hashim Thaçin që ky i fundit të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në vend, e cila do t’ia kalonte kompetencat politike presidentit kontravers dhe të kritikuar jo vetëm nga partitë tjera, por edhe nga vetë eksponentë të partisë së tij. As tarifa 100% e vendosur në mallrat serbe nga Kryeministri i kaluar nuk ishte arsye, sepse ditë më parë gjatë një takimi mes Angela Merkel dhe Aleksander Vuçiq ky i fundit kishte pranuar që dialogu mes Serbisë dhe Kosovës të vazhdonte pasi që të diskutoheshin edhe barrierat tjera jo-tarifore, që nënkupton se ishte pajtuar me parimin e reciprocitetit, gjë që Albin Kurti kishte planifikuar ta aplikonte tani që do ta hiqte tarifën për mallrat serbe. Arsyeja e LDK-së për rrëzimin e qeverisë mendohet të ketë lidhje me bizneset e përbashkëta mes PDK-së dhe LDK-së në njërën anë dhe me refuzimin e pastrimit të administratës dhe gjyqësorit përmes vettingut në anën tjetër. Gjithashtu edhe presioni përmes ambasadorit Grenell e kishte intimiduar LDK-në.

Si përfundim mund të thuhet se në Kosovë po bëhet një lojë e rrezikshme dhe jo e drejtë nga shume akterë të ndryshëm, duke filluar nga ata të brendshëm të Kosovës si Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa bashkë me Agim Veliun (i cili dyshohet për biznese të përbashkëta me vëllezërit e Hashim Thaçit), në bashkëpunim me Aleksandër Vuçiqin dhe politikën serbe në Kosovë. Kjo situatë është rënduar sidomos nga presioni amerikan përmes ambasadorit Grenell në interes të presidentit Trump. Viktima të kësaj loje prapë janë qytetarët e Kosovës. Viktimë e kësaj lojë prapë është Kosova. Por me të edhe siguria e rajonit. E me të edhe siguria evropiane. Historikisht është e dëshmuar se në situata të caktuara mjafton një individ për ta ndezuar konfliktin në këtë rajon të instrumentalizuar për interesa të fuqive të mëdha. Fatkeqësisht, njerëzimi shumë pak ka mësuar nga historia e tij e përgjakshme.