Pozita pa shumicë, Kuvendi i Prishtinës jofunksional

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk po e kryen punën e vet si duhet. Kështu së paku deklarojnë organizatat që monitorojnë punë e këtij institucioni lokal. Pas prishjes së koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet, pozita mbeti pa shumicën, e si rrjedhojë, opozita shkarkoi kryesuesin e Kuvendit Komunal.

Jofunksional po konsiderohet Kuvendi Komunal i Prishtinës nga INPO, organizatë që monitoron punën e komunave.

“Kemi një datë të caktuar për një mbledhje megjithatë do të jetë shqetësuese mënyra e funksionimit të kësaj mbledhje sepse është një mbledhje e ngarkuar sepse ka pauzu një kohë të gjatë Kuvendi andaj do të përballet me ankesa dhe sigurisht që asamblistët nuk do të kenë mjaft hapësirë për të i shqyrtuar këto pika”, ka thënë për RTK-në, Valmir Ilazi, hulumtues në INPO. 

Nga Vetëvendosje, që është partia më e madhe opozitare në kryeqytet, thonë se do të kërkojnë të mbahen nga dy seanca brenda muajit, në mënyrë që të kompensohen ato që nuk janë mbajtur.

“Ne do të kërkojmë të paktën të mbahen 2 seanca brenda muajit në mënyrë që këto seanca të kompensohen. Kuvendi është për me marrë vendime në shërbim të qytetarëve e kjo mungesë e tyre vërehet normal në infrastrukturën e përgjithshme në Prishtinë”, ka theksuar Besart Krasniqi, asamblist i VV-së në Prishtinë.

I pyetur mbi funksionalitetin e Kuvendit Komunal, kryetari i Prishtinës nuk preferoi të përgjigjet.

Pas prishjes së koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet, pozita mbeti pa shumicën, ku si rrjedhojë, opozita shkarkoi kryesuesin e Kuvendit komunal, Pëllumb Bajçinovci, e më pas vendin e tij e zuri Fehmi Kupina.

Go to TOP