Bota

Portugalia do t’i trajtojë migrantët si rezidentë gjatë krizës me koronavirusin

Të gjithë të huajt në Portugali të cilët kanë aplikuar për vazhdim të qëndrimit në vend do të trajtohen si rezidentë të përhershëm nga e hëna deri së paku më 1 korrik, kanë thënë autoritetet të shtunën, kjo për t’u siguruar se migrantët do të kenë qasje ndaj të gjitha shërbimeve publike gjatë pandemisë.

Aplikantët, përfshirë azilkërkuesit, thjesht duhet të ofrojnë dëshmi për kërkesën për t’u kualifikuar – dhe kjo u jep atyre qasje në shërbimin shëndetësor kombëtar, në përfitimet e mirëqenies sociale, në llogari bankare dhe në kontrata pune e qiraje.

“Njerëzve nuk duhet t’u mohohet e drejta në shërbime shëndetësore e publike vetëm pse aplikimi i tyre nuk është procesuar”, ka thënë për Reutersin Claudia Veloso, zëdhënëse e ministrisë së Punëve të Brendshme. “Në këto kohë të jashtëzakonshme, të drejtat e migrantëve duhet të garantohen”.

Policia synon që të ul rrezikun e infektimit duke minimizuar kontaktet mes stafit të shërbimit kufitar dhe aplikantëve, ka thënë një komunikatë e kësaj ministrie, transmeton KOHA.

Në Portugali deri më tani janë raportuar 5,170 raste me koronavirus dhe 100 vdekje, shumë më pak sesa Spanja fqinje.

Autoritetet shëndetësore presin që kulmi i të infektuarve të arrijë në fund të majit.

Në Portugali, numri më i madh i migrantëve janë brazilianë, të pasuar nga rumunët, ukrainasit, britanikët dhe kinezët.