SPORT

Portugali: Sulmohet autobusi dhe dy lojtarë dërgohen në spital

Futbolli në Portugali është rikthyer me rezultate befasuese, ku asnjëra nga tri skuadrat e mëdha nuk i janë gëzuar fitores.

Porto fillimisht u mposht në udhëtim te Famalicao me rezultat 2-1, por gabimin e tyre nuk e shfrytëzuan rivalët e Benficas.

Gjiganti portugez bëri një tjetër lëshim, duke barazuar pa gola 0-0 në shtëpi ndaj skuadrës modeste Tondela.

Fitores nuk arriti t’i gëzohet as Sportingi i Lisbonës që luajti baras 2-2 në udhëtim te Guimares.

Gjithsesi më së keqi e pësuan lojtarët e Benficas, të cilët janë sulmuar nga tifozët e tyre pas barazimit pa gola ndaj Tondelas.

Tifozët e irrituar që skuadra e tyre e zemrës nuk arriti triumfin për tu shkëputur nga Porto në krye, kanë thyer autobusin e ekipit duke mbetur të lënduar dy futbollistë.

Julian Weigl dhe Andrija Zivkovic kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar me urgjencë në spitalin e Lisbonës.

Ky sulm i ardhur nga një grup i tifozëve ka ngjallur reagim të madh në Portugali, derisa Benfica ka reaguar ashpër ndaj këtij sulmi.

“Benfica shpreh keqardhje për sulmin me gurë që ndodhi në autobusin e skuadrës, kur po largoheshim nga hyrja A2 dhe po shkonim drejt qendrës në përfundim të ndeshjes me Tondela”.

“Ne informojmë se dy lojtarët tonë Andrija Zivkovic dhe Julian Weigl janë dërguar menjëherë në spital pas goditjeve që morën nga gurët”.

“Benfica garanton se do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet në mënyrë që të identifikohen përgjegjësit për këtë akt kriminal”, thuhet në njoftimin e klubit portugez.

Pas 25 ndeshjeve të zhvilluara në elitën e futbollit portugez, Porto dhe Benfica ndajnë pozitën e parë me nga 60 pikë të tubuara.