SPORT

Ponte Prizreni fiton me 20 pikë epërsi ndaj Lipjanit

Ponte Prizreni e ka mposhtur në udhëtim Lipjanin me rezultat 77-97 (19:24, 19:23, 20:29, 19:21) në kuadër të javës së 22-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Prizrenasit e filluan ndeshjen më mirë, duke e fituar çerekun e parë (19:24), derisa me lojë të mirë vazhduan edhe në periudhën e dytë, që e fituan (19:23), për të shkuar në pushim me rezultat 38-47, thuhet në faqen e FBK-së.

Ponte vazhdoi me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, përkatësisht fraksionin e tretë, duke e fituar këtë pjesë 20:29. Dhjetëminutëshi i fundit përfundoi 19:21 dhe Ponte Prizreni shënoi fitore me rezultat 77-97.

Te Lipjani u dalluan Tamas Bruce me 22 pikë e 17 kërcime dhe Joshua Boutte me 20 pikë dhe 19 kërcime, derisa te Ponte Prizreni më të mirët në fushë ishin Ty Nichols me 22 pikë e gjashtë asistime, Dariel Franklin me 15 pikë e 10 kërcime dhe Urim Zenelaj me 13 pikë e 17 kërcime.

Lipjani ka një fitore dhe 19 humbje, derisa Ponte Prizreni 12 fitore dhe tetë humbje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.