Bota

Poloni/ Sot mbahet balotazhi për president

Polakët po votojnë të dielën në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat mund t’i vendosin marrëdhëniet e ardhshme me Bashkimin Evropian, të cilat janë tensionuar për shkak të shqetësimeve të BE-së rreth pavarësisë së sistemit të drejtësisë në këtë shtet.

Presidenti i deritashëm, Andrzej Duda, i cili është aleat i partisë në pushtet, “Ligj dhe Drejtësi”, do të përballet me kryetarin liberal të kryeqytetit, Rafal Trzaskowski, pas një fushate që ka shpërfaqur vizione mjaft të kundërta për të ardhmen dhe përçarje të thella politike, shkruan “Reuters”, transmeton Kosova.info.

Rizgjedhja e Dudës në krye të vendit të Evropës Qendrore është jetike për partinë në pushtet që t’i vazhdojë reformat në sistemin e drejtësisë, për të cilat Bashkimi Evropian ka thënë se e rrisin kontrollin politik ndaj gjykatave.

Duda e ka portretizuar veten si mbrojtës të vlerave katolike të Polonisë dhe programeve të përfitimeve sociale, të cilat ua kanë transformuar jetën shumë njerëzve, sidomos në rajonet e varfra rurale.

Pavarësisht se ai është zotuar se do të qëndrojnë në anën e shtresës së dobët, kritikët thonë se fushata e Dudës ka kaluar edhe në homofobi dhe antisemitizëm. Ai e ka krahasuar atë që e quan “ideologji LGBT” me indoktrinimin komunist të periudhës sovjetike.

Në anën tjetër, Trzaskowski ka qenë cak i sulmeve nga konservatorët religjiozë për shkak të promovimit të të drejtave të komunitetit LGBT dhe pas pjesëmarrjes së tij në paradat e këtij komuniteti. Ai gjithashtu është zotuar se do ta fusë në shkollat e Varshavës si lëndë edukimin seksual.

Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Poloni është mbajtur më 28 qershor. Duda i kishte marrë 41.8 për qind të votave, ndërsa Trzaskowski 30.4 për qind. Qendrat e votimit janë hapur në orën shtatë të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën nëntë të mbrëmjes.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483