Kosova

Policia: Nuk e intervistuam Parim Ollurin, por personat që e kishin informacionin konfidencial

Policia e Kosovës ka thënë se gjatë ditës së sotme nuk është marrë në pyetje dhe nuk është vënë nën hetim drejtori i gazetës Insajderi, Parim Olluri, dhe asnjë gazetar tjetër.

Në sqarimin e tyre thuhet se janë intervistuar vetëm personat apo zyrtarët që e kanë pasë informacionin konfidencial i cili ka rrjedhë në media, derisa përfaqësuesit e Insajderit janë ftuar vetëm për informim.

“Policia, në këtë rast zyrtarët policor nuk kanë marrë në pyetje dhe nuk kanë vendosur nën hetim asnjë qytetar që ushtron profesionin e gazetarit, sipas urdhrit të Prokurorit në pyetje janë marrë vetëm personat apo zyrtarët që e kanë poseduar informacionin konfidencial. Ndërsa përfaqësuesit e mediumit që e kanë publikuar informacionin, janë ftuar vetëm për informim sipas udhëzimeve të prokurorit”.

Në këtë reagim thuhet se veprimet e policisë ndërlidhen vetëm me personat që janë përgjegjës për rrjedhjen e informatave konfidenciale dhe jo me ata që i kanë publikuar ato.

“Është po ashtu e rëndësishme që të mbrohet interesi publik, i dëmtuar këtë rast me rrjedhjen e informacionit konfidencial, andaj veprimet e Policisë për njoftimin e Prokurorisë kanë të bëjnë me përgjegjësit për rrjedhjen e informatave konfidenciale e jo me publikimin e tyre”

Policia ka thënë po ashtu se veprimet që i ka ndërmarrë nuk i kanë tejkaluar autorizimet ligjore që kanë dhe nuk kanë cenuar të drejtat dhe liritë e gazetarëve që burojnë nga Ligji për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë.

“Vlen të potencohet se Policia e Kosovës të gjitha veprimet i ka ndërmarr konform autorizimeve ligjore, dhe i ka shumë të qarta autorizimet që ia jep ligji me të cilin funksionon por edhe të drejtat e garancitë që burojnë nga ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë”.