Kosova

Policia thotë se gruaja rome nuk paraqet rrezik për askënd, paralajmëron masa për personat që e sulmuan

Policia e Kosovës, ka njoftuar se do të marrë veprimet e nevojshme konform ligjit për arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në sulmet fizike ndaj gruas rome në Lipjan dhe Ferizaj.

Përmes një njoftimi për medie thuhet se, Policia e Kosovës e ka ndaluar viktimën dhe e ka verifikuar disa herë, dhe se e njëjta nuk është person i dyshuar dhe nuk është e përfshirë në asnjë rast të vjedhjeve e as të kidnapimeve siç pretendohet në opinion.

“Nuk paraqet rrezik për askënd, nuk ka nevojë të ngritet ndonjë shqetësim në opinion, dhe se deri me tani nuk ka pasur asnjë viktimë të raportimit të ndonjë rasti të tillë ndaj saj”, thuhet në njoftim.

Ata kanë thënë se, personi në fjalë nuk është person që paraqet rrezik për askënd dhe duhet të gëzoj të gjitha të drejtat e lirisë së lëvizjes së lirë pa u penguar nga askush si dhe të mos ketë nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të asnjë komuniteti.

Në të kundërtën ata thonë se do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore, me qëllim të parandalimit të incidenteve të tilla dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në raste sikurse ai në Lipjan dhe Ferizaj.

Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare ka bashkëpunuar ngushtë me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për strehimin e viktimës.