Kombëtare

Policia shqiptare arreston kosovarin e shpallur në kërkim nga Zvicra

Policia Kufitare e Morinës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, Interpol Brukselin dhe Interpol Bernën në Zvicër, ka vënë në pranga dy persona në kërkim ndërkombëtar.

Nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë është arrestuar shtetasi belg K. Q., 26 vjeç, lindur në Hoy, Belgjikë si dhe H. B., 28 vjeç, lindur në Dubravë, Kosovë.

Policia e Shtetit shqiptar bën me dije se dy arrestimet nuk janë të ndërlidhura me njëra tjetrën.

Shtetasi belg, sipas Policisë shqiptare, “ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Brukseli, Belgjikë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Antwerp, Belgjikë, me datë 28.05.2019 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprat penale ‘Pjesëmarrje në grup kriminal’, ‘Trafikim i narkotikëve dhe perkusorëve’ parashikuar nga nenet e Kodit Penal belg”.

“Nga hetimet e filluara me datë 07.10.2017 ka rezultuar se K. Q. është pjesëtar i një organizate kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta kokainë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Brukselin/Belgjikë, u bë i mundur arrestimi i tij në Shqipëri me qëllim ekstradimi drejt Belgjikës”, ka njoftuar Policia e Shtetit shqiptar.

Ndërkaq, kosovari H. B., sipas Policisë, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bernë/Zvicër, pasi autoritetet gjyqësore të kantonit të Gjenevës, Zvicër, më datë 08.07.2019 kanë lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja”, “Dëmtim prone” dhe “Dhunim banese”.

“Në harkun kohor 21 dhjetor 2018-13 mars 2019, në kantonin e Gjenevës, H.B. dyshohet se ka kryer 21 vjedhje, duke hapur me forcë dyert dhe dritaret e banesave, ka hyrë në shtëpitë dhe apartamentet private dhe ka vjedhur objekte dhe shuma të ndryshme parash. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Bernë/Zvicër, u bë i mundur arrestimi i tij në Shqipëri me qëllim ekstradimi drejt Zvicrës”, ka theksuar Policia e Shtetit shqiptar.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.