Kombëtare

Policia jep detajet për vrasjen në Gjilan: Dorasi është polic, ai është arrestuar

Një preson është vrarë nga arma e zjarrit, sot në orët e para të mëngjesit në rrugën “Nato 99” në Gjilan, ku dyshohet se autor i vrasjes është një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili është arrestuar.

Inspektoratit të Policisë së Kosovës sipas një njoftimi thotë se, pasi që dyshimet ishin se në këtë incident i dyshuar ishte një pjesëtar i Policisë së Kosovës, menjëherë përmes “Linjës së kaltër” janë njoftuar hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Bazuar në hetimet preliminare dyshohet se personi i dyshuar V. H. pjesëtar i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës L. S. Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Po ashtu, IPK thotë se personi i dyshuar në këtë rast – zyrtari policor, është arrestuar, kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është suspenduar nga detyra.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, përfundon njoftimi.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.