Kosova

Policia ende pa sigurime shëndetësore, shpresa që të realizohen në vitin 2022

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, thotë se u infektua me Covid-19 gjatë orarit të punës. Shërimi i tij i kushtoi afro 2 mijë euro. Në mungesë të një sigurimi shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Tasholli, u detyrua që të paguajë vetë për shërimin e tij.

Tasholli ka thënë se vetëm me 210 euro e ka ndihmuar drejtoria e shëndetësisë për shërimin e tij ndërsa të gjitha shpenzimet i ka paguar vetë.

“Tani në këtë rast duhet të lidhem nga vetvetja sepse kam qenë 2 javë ditë në spital. Kam pasur shpenzime më kanë paguar drejtoria e shëndetësisë vetëm 210 euro barna a shpenzimet i kam pasur afër 2  000 euro, do të thotë aq ka paguar dhe pasi e përjetova vetë, dhe është shumë e pa kuptimtë që të bëhen shpenzime prej 2 000 euro për ata njerëz që kanë qenë në spitale”, thotë ai.

Siç thotë Tasholli me rrogën bazë që kanë policët prej 390 euro është e pamundur t’i mbulojnë shpenzimet e tyre në rast të problemeve shëndetësore.

“Shpenzimet janë të një pas njëshme edhe rroga e policit dihet sa është dhe rroga bazë e tij është 390 euro, një kontroll mund të kushtojë 200 euro apo një fotografim barnat të ndryshme, nënat shtatzëna policët e lënduar, policët me sëmundje të ndryshme dhe vërtet polica e Kosovës është në gjendje të pa lakmueshme me sigurimin shëndetësorë”, tha ai për EO.

Në secilën palë zgjedhje, partitë politike premtojnë për  sigurim shëndetësorë jetësor të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

“Me të gjitha qeveritë deri më sot kemi pasur kontakte si dhe me grupe parlamentare dhe të gjithë kanë premtuar që prioritet është sigurimi shëndetësorë si duket ato premtime të një pas njëshme kanë qenë vetme një konsum politik i tyre dhe nuk ka ndodhur asgjë deri më sot”.

Mirëpo për Tashollin sigurimi shëndetësorë për policët është e mundshme të ndodhë  dhe ai shpreson që të startojë në 2022.   

“Nëse ka qeveria në ardhje sinqeritet kjo mund të arrihet sepse rimbushja bëhet për 6 muaj ditë dhe le të fillon në muajin e parë dhe të starton në 2022 dhe le të pret policia një kohë le të rimbushet fondi dhe atëherë nuk ka problem. Përndryshe nëse mbetet edhe qeveria në ardhje vetëm me premtime atëherë nuk bëhet asgjë”, deklaron ai.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të Byrosë Kosovare të sigurimeve, Sami Mazreku ka thënë se ndër takimet e para të tij zyrtare ka qenë me Policinë e Kosovës ku temë diskutimi ishte që ata të pajisen me sigurime shëndetësore.

Mes tjerash, Mazreku shtoi se kanë dërguar propozime për 8 mijë policë, ku kostoja është rreth 4 milionë euro.

Ai tha se propozimi i tij ka qenë të bëhet një zgjidhje alternative që çdo vit të ndahen fonde për Policinë e Kosovës derisa ligji të hyjë në fuqi.

Sipas tij, Policia është e vetmja që nuk ka sigurime shëndetësore dhe jetësore.

“Ajo çka kemi bërë ne që anën teknike procedural, zyrtare dhe profesionale e kemi bërë. Kemi mbajtur disa takime dhe kemi dërguar propozime konkrete dhe kostoja nuk ka qenë e lartë pa marrë parasysh që bëhet fjalë për rreth 8 mijë policë dhe një kosto përreth 4 milionë euro nëse ka qenë shuma për dy polisa të sigurimeve për 8 mijë policë. Propozimi ynë ka qenë meqenëse ligji për sigurimin shëndetësor nuk po zbatohet kemi propozuar që të bëjmë zgjidhje alternative që çdo vit të ndajmë fonde për Policinë e Kosovës derisa ligji të hyjë në fuqi”.