Kosova

Policia e Prokuroria japin detaje për arrestimin e të dyshuarit për vrasjen në kazino në Lipjan

Policia dhe Prokuroria në një konferencë të shkurtër për media të mbajtur para pak çastesh kanë dhënë më shumë detaje për arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e një 36 vjeçari në kazino në Lipjan para dy javëve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë se pas dy jave punë intensive është arritur të identifikohet dhe më pas të arrestohet i dyshuari kryesor për atë vrasje.

“Pak më parë është raportuar për arrestimin e një personi të dyshuar për vrasjen e një personi, për rastin që ka ndodhur në kazino në Lipjan. Policia ka kryer hetime intensive. Rreth orës 20:00 është arrestuar i dyshuari”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa, nga Prokuroria kanë bërë të ditur se të dyshuarit i janë konfiskuar dy armë dhe arrestimi ka ndodhur pas një aksioni intensiv të Policisë së Kosovës.

Gjithashtu, është bërë e ditur se do të merret deklarata e të dyshuarit dhe do të kuptohet nëse ka të tjerë persona t ëdyshuar për këtë rast.

“Sonte pas një aksioni intensiv të Policisë së Kosovës, është arritur të arrestohet personi i dyshuar, që e kemi identifikuar. Kemi marrë masat e nevojshme.

Ai është arrestuar, i janë konfirmuar dy armë dhe po vazhdojmë të punojmë intesivisht për këtë rast. Para dy jave ka ndodhur rasti i vrasjes në kazino në Lipjan.

Si prokurori kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme. I falënderojmë hetuesit që kanë punuar pa ndal në arrestimin e të dyshuarit. Janë gjetur edhe disa prova materiale.

Do të marrim edhe deklaratën e tij, për të parë nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast. Kanë qenë dy javë të gjata intensive, në mënyrë që të arrijmë në rezultatin e sotëm. Një bashkëpunim i mirë mes Prokurorisë dhe Policisë e lufton krimin në vend”, kanë thënë përfaqësuesit e Prokurorisë.

Vrasja në kazino në Lipjan kishte ndodhur dy javë më parë, ku i vdekur kishte mbetur një 36 vjeçar si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Kjo vrasje, dhe një tjetër e ngjashme në Suharekë, kanë nxitur reagim të madh lidhur me Ligjin për Lojërat e Fatit, ku menjëherë nisen procedurat për ndalimin e këtyre lojërave të fatit.

Në Kuvendin e Kosovës me 69 vota pro është Shfuqizuar Ligji për Lojërat e Fatit me ç’rast do të ndalohet edhe veprimtaria e tyre. Ndërkohë që ky ligj ende nuk është dërguar tek presidenti për dekretim. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.