Kosova

Policia e Kosovës shoqëron në stacion 20-vjeçarin që e shiste votën e tij

Policia e Kosovës ka identifikuar personin me iniciale K.G. i cili dyshohet se ka publikuar një shpallje ku ka ofruar votën e tij që i garantohet me kushtetutë që ta shesë për para.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Mitrovicë, Avni Zahiti.

Pas intervistës nga Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës ka liruar të dyshuarin me procedurë të rregullt. 

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:

Identifikohet personi i dyshuar për veprën penale dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin

Në orët e mbrëmjes së datës 12 shkurt 2021, hetuesit policor në kuadër të Stacionit Policor në Skenderaj, kanë identifikuar dhe intervistuar një person të dyshuar për veprën penale dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimet.

Veprimet hetimore janë ndërmarrë  me autorizim të prokurorit, mbi dyshimet  e bazuara se i dyshuari në një faqe të rrjeteve sociale ka publikuar-shpallur se shet votën e tije sipas marrëveshjes.

Si rezultat i  veprimeve hetimore, është lokalizuar dhe identifikuar personi i dyshuar K. G., 20 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës,  i cili është shoqëruar  për intervistë.

Ndërsa pas  intervistës me urdhër të prokurorit të çështjes, i dyshuari është liruar në  procedurë të rregullt. 

Ndaj tije është iniciuar rast për veprën penale dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin neni 212 .