Kombëtare

Podujevë: U miratua Rialokimi i Buxhetit për vitin 2021

Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar vendimin për rialokimin e buxhetit të Komunës për vitin 2020 dhe vendimin për caktimin e normave tatimore për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2021

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishin të pranishëm edhe drejtorët e drejtorive.

Në mbledhjen e sotme Kuvendi ka shqyrtuar propozim vendimin për rialokimin e buxhetit të Komunës për vitin 2020;  propozim vendimin për caktimin e normave tatimore për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2021 dhe; ngritjen e Grupit punues për përgatitjen e draft – Planit të punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2021.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, prezantoi propozim vendimin për rialokimin e buxhetit të Komunës për vitin 2020.

Ai tha se nga mjetet nga granti qeveritar për investime kapitale, për Planifikim Hapësinor dhe Rregullativ, mjetet në vlerë prej 196,754.86 euro rialokohen në asfaltimin dhe rregullimin e disa rrugëve dhe rregullimin dhe pastrimin e shtratit të lumit Llap.

Ndërsa nga programi i shërbimeve të shëndetësisë primare, për investime kapitale, rialokohen 19,625.00 euro për furnizim me pajisje mjekësore. Nga nën programi për arsim fillor, kategoria investime kapitale, rialokohen 22,237.94  euro për ndërtimin e shkollës “Ali Ajeti” në fshatin Balloc.

Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës diskutuan Hasan Ajeti (LDK), Vendenis Lahu (LVV), Rafet Llapashtica (PDK), Avni Fetahu dhe Bajram Ajeti (LVV).

Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë Kuvendi miratoi vendimin për rialokimin e buxhetit të Komunës për vitin 2020.

Kuvendi miratoi edhe vendimin për caktimin e normave tatimore për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2021.

Në mbledhjen e sotme Kuvendi ngriti Grupin punues për përgatitjen e draft Planit të punës së Kuvendit të Komunës së Podujevës për vitin 2021. /Kosova.info/