Kombëtare

Podujevë/ Komuna i liron nga qiraja bizneset, Vetëvendosje e kritikon mënyrën e lirimit

Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë kritikoi mënyrën e lirimit për tërë vitin të bizneseve nga qiraja komunale.

Sipas këshilltarit të LVV-së, Avni Fetahu, me vendimin e Komunës shkelet konkurrenca ndërmjet bizneseve. Ai ka thënë se kanë votuar pro vendimit për lirimin e bizneseve nga taksa komunale, porse kanë qenë kundër që lirimi i qirasë për pronën komunale të bëhet për tërë vitin.

“Për marrjen e vendimit për taksa komunale ka votuar edhe opozita dhe ne si subjekt i Lëvizjes Vetëvendosje! e kemi edhe në planprogram me heq komplet. Mirëpo për lirimin nga qiraja kemi qenë të pajtimit që ato të lirohen vetëm për periudhën sa zgjatë pandemia e jo për tërë vitin siç është votua. Unë e kam ngritur çështjen që me këtë vendim shkelet konkurrenca fer ndërmjet bizneseve dhe kjo shihet edhe me Ligjin për ndihmën shtetërore”, ka theksuar ish-shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, raporton KOHA.

Ai ka përmendur dy nene që flasin për ndihmën shtetërore. Në nenin 3, pika 1.1 ku përkufizohet se çka është ndihma shtetorëre, thuhet se çdo shpenzim aktual apo shpenzim i mundshëm, apo reduktim i të ardhurave të shtetit, e dhënë në çfarëdo forme nga ana e dhënësit ose që mund t’i atribuohen shtetit, e cila drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë shtrembëron ose rrezikon ta shtrembërojë konkurrencën duke favorizuar përfitues të caktuar të ndihmës shtetërore ose prodhime të mallrave dhe shërbimeve të caktuara, dhe që bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, siç përcaktohet në nenin 1 të këtij Ligji.

“Përjashtimisht nga neni 4 i këtij Ligji, ndihmat e mëposhtme janë në përputhshmëri me këtë Ligj dhe nuk janë të kushtëzuara me aprovimin paraprak të Komisionit: 1.1. Ndihma e karakterit social, që u jepet konsumatorëve individual, me kusht që kjo ndihmë të jepet pa diskriminim lidhur me origjinën e produkteve që prej; dhe 1.2. Ndihma për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore ose nga ngjarjet e jashtëzakonshme, thuhet në nenin 5”.

Komuna ka marrë vendim që për shkak të pandemisë t’i lirojë nga qiraja dhe taksat komunale të gjitha bizneset në Podujevë për tërë vitin 2020. Por, kjo do të ndikojë negativisht në realizimin e të hyrave. Rrjedhimisht, sipas zyrtarëve komunalë, kjo do të reflektojë edhe në realizimin e projekteve të parapara për sivjet. Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, thotë se sivjet kanë planifikuar t’i realizojnë 1,416,561 euro nga të hyrat vetjake.

“Pandemia COVID-19 ka ndikuar shumë në realizimin e këtyre të hyrave, pasi në muajin prill kemi pasur vetëm 15,763.39 euro të arkëtuara. Në qoftë se vazhdon trendi i njëjtë i arkëtimit të mjeteve siç ishte në muajin prill, atëherë mjetet e realizuar nga të hyrat vetjake për tërë vitin mund të jenë rreth 906,308 euro më të ulëta sesa planifikimi. Mosrealizimi i të hyrave të planifikuara do të ndikojë edhe në mosrealizimin e projekteve të parapara nga të hyrat vetjake”, ka thënë zëdhënësi Elezi.

Në anën tjetër, këshilltari Fetahu thotë se Komuna e Podujevës edhe më parë nuk ka arritur të realizojë të hyrat e planifikuara.

“Sa i përket çështjes së inkasimit të të hyrave Komuna nuk ka qëndrua mirë asnjëherë në këtë çështje, çdo raport i Auditimit e ka potencua në vazhdimësi dhe përmirësim nuk ka pas.

Mendimi ynë si Lëvizje Vetëvendosje! Dega Besianë lidhur me gjendjen aktuale dhe ngritjen e të hyrave dhe mirëqenies në përgjithësi ne e shohim si në vijim: 1. Fillimisht menaxhimi i mirë i parasë publike dhe transparente (e që kjo ka munguar kjo shihet edhe në raportin financiar)”, është shprehur Avni Fetahu. “2. Rritja e investimeve kapitale (e me këtë rriten edhe të hyrat, por edhe kërkesa agregate); 3. Qasja korrekte ndaj obliguesve për kryerjen e obligimeve pa dallime partiake; 4. Transparenca si mjete nxitës për qytetarë për t’i kryer obligimet ndaj Komunës në këtë rast”.