Kombëtare

Podujeva angazhon rojë në emër të “detyrave specifike”

Rojë, punëtorë teknikë, zyrtarë për të dhëna e infermierë janë disa nga punëtorët që Komuna e Podujevës i ka angazhuar për shërbime të veçanta gjatë vitit 2019.

Megjithëse këto pozita konsiderohen si të rregullta, komunarët i kanë angazhuar në emër të “detyrave specifike”. Arsyetimi i zyrtarëve komunalë ishte se kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së pozitave të miratuara në planifikimin e buxhetit, shkruan sot KOHA Ditore.

Ndërkohë që numri i të punësuarve në fund të vitit, në këtë komunë, kishte qenë për rreth 60 pozita më pak sesa që ishin miratuar me planifikimin e buxhetit. Përveç kësaj, ata i kanë mbajtur këta të punësuar më shumë sesa e parasheh Ligji i punës Nr. 03/L-212, ku sipas nenit 10, kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se njëqindenjëzet (120) ditë brenda një (1) viti dhe Ligjit nr.03/L-149 për Shërbimin Civil ku në nenin 12, pika 4, është përcaktuar se emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë (6) muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

“Komuna kishte angazhuar 30 persona me kontrata për punë dhe detyra specifike, ku 23 prej tyre punonin për periudhën kohore më të gjatë se katër (4) muaj brenda një viti. Po ashtu, kishte angazhuar nëntë persona përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta për të cilët nuk ishte zbatuar një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Zyrtarët punonin si infermierë, zyrtarë për të dhëna, roje, punëtorë teknikë, etj.”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të vitit 2019.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.