Bota

“Pobjeda” sjell detaje mbi “zhdukjen” e spiunit të dyshuar rus

Një gazetë në Mal të Zi ka publikuar ato që thotë se janë detaje për zhdukjen e një ish-zyrtari të Kremlinit në vitin 2017, të identifikuar në mediat ruse si një informator të mundshëm të CIA-s që iku në Shtetet e Bashkuara.

Kjo gazetë raportoi më 12 shtator se Oleg Smolenkov bashkë me gruan dhe fëmijët e tij mbërritën përmes një fluturimi komercial në qytetin turistik të Tivatit më 14 qershor të vitit 2017, dhe se ai u zhduk, siç duket përmes një jahti privat “disa ditë më vonë”.

Raporti nuk përmendi asnjë zyrtar malazez ose burime qeveritare, megjithëse gazeta Pobjeda njihet se ka lidhje të ngushta me qeverinë malazeze dhe agjencitë e sigurisë. Gazeta shkruan se raportimi i saj bazohet në informacione “të besueshme” që i kishte siguruar.

Më 9 shtator, mediat amerikane CNN, New York Times dhe The Washington Post raportuan se Agjencia Qendrore e Inteligjencës, CIA kishte nxjerrë një rus të paidentifikuar, i cili kishte siguruar materiale të fshehta brenda zyrës së presidentit rus, Vladimir Putin. Dokumentet kishit të bëjnë me ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016.

CIA, Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë kanë thënë se këto raporte ishin të pasakta.

“Raportimi është shokues, sepse krijon një rrezik të madh”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

“Faktikisht, raportimi është i gabuar”, tha ai.

CNN gjithashtu raportoi se vendimi për ta larguar këtë person nga Rusia ishte nxitur nga shqetësimet e inteligjencës amerikane që presidenti amerikan, Donald Trump, mund të ketë nxjerrë informacione të klasifikuara tek zyrtarët rusë, përfshirë këtu edhe gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë në maj të vitit 2017.

Por, këto pretendime u mohuan fuqishëm nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Mediat ruse raportuan më vonë se informatori i dyshuar me shumë të ngjarë ishte Smolenkov, i cili ishte një nëpunës civil i nivelit të lartë brenda administratës presidenciale dhe, më herët, punonjës ambasadën ruse në Uashington.

Qeveria ruse konfirmoi angazhimin e Smolenkovit në këto detyra, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 10 shtator se “ai u pushua nga puna disa vjet më parë”.

Ndërkohë, në raportimin e gazetës malazeze Pobjeda, thuhet se ardhja e familjes Smolenkov në Malin e Zi në muajin qershor të vitit 2017, është regjistruar në kontrollin e pasaportave të aeroportit Tivat. Arritja e tij ndodhi vetëm disa javë pas takimit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov i cili ishte i shoqëruar nga Sergei Kislyak, asokohe ambasadori i Rusisë në Uashington.

Tivati është një destinacion i popullarizuar i pushimeve për rusët. Mijëra turistë rusë e vizitojnë kompleksin çdo vit.

Pobjeda raportoi se ishte e paqartë nëse Smolenkov, dhe familja e tij u larguan nga Mali i Zi në të njëjtën kohë.

Një raport në faqen ruse të lajmeve Daily Storm, në shtator të vitit 2017 thoshte se hetuesit rusë kishin hapur një hetim vrasjeje pasi Smolenkov dhe familja e tij me sa duket u zhdukën ndërsa ishin në Mal të Zi.

E përditshmja ruse Kommersant më 10 shtator citoi zyrtarë të panjohur të sigurisë të thoshin se hetimi i vrasjes ishte hapur dhe mbyllur disa herë.

Të dhënat publike tregojnë se Smolenkov dhe gruaja e tij zotëronin një shtëpi luksoze në Stafford, Virxhinia, në afërsi të Uashingtonit në Shtetet e Bashkuara.

Një gazetar i Radios Evropa e Lirë i cili vizitoi këtë shtëpi më 10 shtator, tha se perdet kanë qenë të mbyllura dhe vetëm një vend për lojë basketbolli është parë mbrapa saj.

Askush nuk iu përgjigj trokitjeve në derë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Peskov, më pas mohoi raportet e mediave ruse se Smolenkov mund të ketë pasur çasje në informacione sekrete të nivelit të lartë përderisa ai punonte për qeverinë ruse.

Të dhënat publike nga administrata e qeverisë ruse e vitit 2008 dhe 2010, tregojnë se një person i quajtur Oleg Smolenkov ishte i punësuar në administratën e Vladimir Putinit, që në atë kohë ishte kryeministër.

Në vitin 2010, Smolenkov u avancua lartë në shërbimin civil, përmes një vendimi të nënshkruar nga presidenti i atëhershëm rus, Dmitry Medvedev.

Smolenkov më parë ishte sekretar i dytë në ambasadën ruse në Uashington sipas një regjistri të personelit.

Ambasador në atë kohë ishte Yury Ushakov, i cili më vonë u kthye në Moskë dhe u bë zëvëndës-shef i personelit të Vladimir Putinit dhe më pas këshilltar për politikë të jashtme.

Gazeta ruse Vedomosti raportoi se Smolenkov ishte këshilltari kryesor i Ushakovit në Kremlin. /rel/

Leave a Reply

Your email address will not be published.