Kosova

Po vazhduat me presion shkojmë në zgjedhje, Mustafa paralajmëron AAK’në

Fotot nga arkiva

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit. Ai tha se ky post nuk mund të zgjidhet pa u konsultuar me partitë opozitare, Partinë Demokratike e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas tij, më e lehtë do ishte bashkëpunimi me PDK-në për këtë çështje, pasi partia e drejtuar nga Albin Kurti kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe nuk krijon hapësirë për të hapur çështje të tjera.

“Posti i presidentit nuk mund të zgjidhet nëse ne nuk kemi bashkëbisedim edhe me subjektet e tjera, me PDK dhe me VV. Në këtë situatë është më lehtë të bisedohet me PDK, dhe më vështirë është që të gjendet zgjidhje me VV. Ajo është shprehur që të shkohet në zgjedhje të reja.  Nuk krijon hapësirë të diskutohet për çështje të tjera. Në këtë moment nuk jam për zgjedhje të reja, sepse mendoj se neve nuk na përgjigjen zgjedhjet nga aspektin se po humbim shumë kohë. Zgjedhjet e reja, unë dyshoj se prapë do na sjellin sërish në të njëjtën situatë”, tha Mustafa në Euronews.

Ai thotë se ka biseduar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë me kreun e PDK-së, Kadri Veselin për zgjedhjen e presidentit, por deri tani shton se nuk është propozuar asnjë emër konkret për këtë post kyç në Kosovë.

“Nuk kemi diskutuar akoma me ta për ta zgjeruar koalicionin, por kemi biseduar jo në mënyrë të drejtpërdrejtë me z. Veseli për çështjet e presidentit. Sepse çdo sfidë që do ta kemi me presidentin, nuk mund ta kapërcejmë edhe pa PDK, ose alternativisht edhe VV, sepse duhet të kemi votat.  Në asnjë bisedë që kemi pasur me Veselin, nuk kemi biseduar për asnjë emër. Emri i vetëm që është thënë, por që është thënë nga partia e tij është emri i zotit Haradinaj, por ai është emër i propozuar nga Aleanca, por nuk është trajtuar në asnjë nga subjektet e tjera”, tha ai.

Nëse AAK-ja do të kushtëzojë votën në këmbim të zgjedhjes së Haradinaj në postit të presidentit, z. Mustafa tha se kjo rrezikon prishjen e marrëveshjes dhe çuarjen e  vendit në zgjedhje të reja. “Unë mendoj se do të ishte, dhe është, jo parimore që ajo të kushtëzohet. Nëse vijmë tek kushtëzim, e prishim qeverinë, shkojmë në zgjedhje dhe nuk kemi alternativë tjetër se do ishte gabim. Po flas për parimet, sepse nuk mund të shkojmë me një qëndrim të tillë që të votojmë presidentin për arsye se po na kushtëzojnë koalicionin, nëse e kemi punën ashtu, atëherë shkojmë në zgjedhje”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483