OPINION

Po ku je o Adem Demaçi që të kemi harruar se ke jetuar ndonjëherë!

Me kohë po ndryshojmë edhe ne : Thuhet se koha i ndryshon njerëzit , i shëron plagët të atyre që i kanë pasur , hapë plagë të reja në shpirt dhe ndërgjegje , vendosë maska në pafytyrat e shpërfytyruara , hjek maska në pafytyrat e dëshmuara , ndryshon bindje politike , tardhëtarët i bënë patriotë me intervenime politike , ndryshkun moral dhe kombëtar i mbylon me flakërimë të arit , i jep poste të rëndësishme një hajvan gomarit sikur që ia tredhë koçet filan politikanit a kryetarit !

Po e sheh se edhe unë , si një mashtrues potencial kam filluar të ndryshojë , dikur të quaja Baca i Madh Adem Demaçi kurse tani vetëm Adem Demaçi madje e kam vënë këtë në titullin e shkrimit për të dëshmuar se po ua luaj bishtin atyre që të kanë përndjekur dhe po i përshtatem pushteteve të kaluara e sidomos këtij që ka ardhur .

Edhe vet më thoje se frika është njerëzore , se distancimi nga e kaluara e gabuar është hyjnore nëse bëhen për komb , fe dhe atdhe! Sot e kishin bërë një ekspozitë me fotot që i kishin bërë në periudha të ndryshme të jetës njëmijëvjeçare që e bëre sikur edhe portrete të pikturuara nga artistë të shquar dhe patriotë të dëshmuar , politikisht të dështuar.

Sot takova disa shokë që ende të kanë mbetur besnikë , gjysëm besnikë dhe jobesnikë , shokë të idealit dhe shokë të interesit që ende të përdorin si faturë për t’i mbuluar babëzitë dhe hyrjen thellë në lakra.

Ishte doktori Hakiu që ende është i palëkundur dhe nuk i është nënshtruar apo dorëzuar asnjë tundimi , Dul Teraku , Nuhi Llapqini dhe Baraleci . Mungonte Elmiu sikur edhe Binak Dinaj – Naku për t’u kompletuar grupi që rrinim bashkë , që vazhduam të jemi bashkë ndonëse nuk je me ne por se gjithmonë ishe dhe mbete ylli ndriçues dhe orientues në rrugëtimin jetësorë ndonëse , siç thonë në Rahovec kemi hyrë në rrugën vellika teposhtëza . Ishte edhe Bekimi i Qalit , shoferit , përcjellësit dhe këshilltarit e kohëve më të vështira , kohëve të luftës kur fasulja hahej kokërr – kokërr dhe kur edhe ëndërra e kishte tjetër kuptim.

Baca Adem , thoje se Kosova dhe shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë . Se qenia jonë kombëtare ka shpëtuar dhe se më nuk rrezikohet , as nga Serbia , as nga Kina e as nga Rusia. Në fakt na ka hyrë frika në palcë nga Kina , nga koronavirusi. Për Serbinë mos ke merak , është këtu , e fortë por jo në krye të oxhakut. E sollën dhe e forcuan shokët tanë kurse “ krahu paqësorë “ asnjëherë nuk e pati larguar , as nga zemra e as nga mendja.

Në Kosovë kemi ndërrim të pushtetit dhe qeverisë ; shkoi krahu i luftës erdhi shqiponja dykrenare ; LVV

dhe LDK. Prandaj rri i qetë atje ku je se ka kush ta mbrojë Kosovën. Kosova është shndërruar në vend të

dhunshëm , madje shumë të dhunshëm . Merre me mend se çfarë dhune është ushtruar ndaj

zëvendsëkryeministrit të parë Avdullah Hotit ; ia kanë rrezikuar jetën duke e gjuajtur me vezë të

Konsomit . Me të drejtë kanë reaguar të gjithë ; nga subjektet politike në pushtet , ambasadorët e

vendeve të fuqishme dhe pritet të deklarohet edhe NATO , BE dhe Stejt Departmenti . Na turpëruan o

Bacë ! Me rastin e ditës së Pavarësisë së Kosovës , të lavdëruan edhe ata që të kanë pushkatuar shumë e

shumë herë , të kanë vrarë për së gjalli , të kanë shpallur të matufosur , si baba të Ballkanisë dhe vëlla të

serbëve , nuk të kanë lënë kurrë të të ngrohë dielli politik duke të margjinalizuar dhe duke favorizuar ata

që , jo se nuk kontribuan asnjë minutë të vetme për Kosovën por se tërë jetën ia kushtuan luftës kundër

Kosovës duke i shërbyer qençe Jugosllavisë dhe Serbisë. Sot o Bacë , fëmijët dhe pasardhësitë biologjikë

të bastardëve kombëtarë dhe njerëzorë janë të punësuar si këshilltarë , ambasadorë , konsuj dhe janë

bartës të posteve të larta institucionale , fëmijët tanë ndonëse kanë mbaruar shkollimin e duhur

punojnë si kamarierë , punëtorë fizikë apo kërkojnë rrugë dhe mundësi t’i thonë Kosovës lamtumirë.

Fëmijët e politikanëve, ndonëse një numër i tyre i kriminalizuar dhe me koficient të jointelegjencës si të

një të sëmuri me të meta mendore , mbajnë disa vende të punës , mbyten në luks dhe e shetisin botën ,

me para të vjedhura nga shtresat e varfëruara, fëmijët tanë e kanë problem ta vizitojnë shpellën e

Gadimes.

Kosova sot është në një ankand publik ku nuk e ka të sigurt , as territorin e as pavarësinë. Sot jeni me

Mitrovicën , nesër mund të jeni pa te ! Ndrikullat ndërkombëtare po e abortojnë Kosovën , së bashku

me mamitë politike të Kosovës të mbushura me injorancë të skajshme dhe të shantazhuara me çka të

duan ! Ata që më së shumti pësuan dhe u flijuan për Kosovën , jë vetëm këto vite të fundit por që nga

koha e Rilindjes kombëtare , nuk janë askund ! Edhe ty Bacë po mundohen të të vënë në askund ! Sot

kemi të ashtuquajturin president historik , arkitekt i pavarësisë së Kosovës ndonëse në jetën e vet nuk e

ka vënë një pikë për pavarësi e lëre më të ketë bërë bërë projekte të tilla . Edhe te varret kanë bërë

dallime. Ishim te varri i gjeneral Shaban Shalës i cili tërë jetën ia kushtoi luftës për liri, çlirim dhe bashkim

kombëtar. Ndonëse u bënë 8 vjet nga koha kur iku në amshim , varri i gjeneralit të UÇK-së , patriotit

këmbëngulës më shumë i ngjante një varri të një të vdekuri pa familje dhe të cilin , me shpenzime

komunale është varrosur nga shërbimet komunale. Turp o Baca Adem , turp i madh !

Çka po ndodhë në Kosovë : Po flitet për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë në kohën kur gjithashtu po

flitet për një marrëveshje përfundimtare që duhet të arrihet deri në fund të vitit. Albin Kurti është

kryeminister i Kosovës dhe , duket se nuk do të ketë kohë fare të merret me bisedime me Serbinë por se

do të merret vetëm me pasojat , pa fajin e tij. I kanë mbetë këmbët e arushës ( Hashimit ) në duar.

Mbesa e shokut tënd të idealit , të jetës , vuajtjeve dhe sakrificës , Ahmet Haxhiut është bërë ministre ,

sa për informatë. Gjykata Speciale po u rri mbi kokë shokëve tuaj , një pjesë e të cilëve fort po trembet.

Bacë, nuk mund ta besosh gëzimin që po e ndiejnë mbeturinat e Jugosllavisë dhe Serbisë dhe nervozën

pse këta ende nuk janë arrestuar , pse nuk po dënohen dhe pse nuk po vihen në trekëmbësh. Nuk ka as

ndjeshmëri elementare për 12.000 shqiptarë të vrarë , mbi 1300 të zhdukur pa nam dhe nishan , me

mijëra femra të dhunuara e dëme të mëdha materiale sepse , në vend se të kërkohet përgjegjësi për ta ,

po kërkohet përgjegjësi për shqiptarët , ata që e bënë luftën dhe ata që e përkrahën. Nuk mbeti kush pa

u ftuar nga kjo Gjykatë , sikur të ishte një Gjykatë për Kundërvajtje dhe po merret me shkelësit e

qetësisë publike pas një demonstrate. Shqiptarët janë ndarë fort , Hashimi në një anë kurse Albini dhe

Vjosa në anën tjetër. Nuk po e kanë një pikë takimi as për çështje të mëdha të kombit dhe të shtetit. Isa

Mustafa po i tërheq penjtë nga hija me një saktësi të çmendur dhe filigranike.

Bacë , kohëve të fundit i vetmi që ka pyetur se ku është Adem Demaçi është Nasim Haradinaj të cilin e

kanë gozhduar sepse e ka thënë një të vërtetë publikisht kur të tjerët , për shkaqe të ndryshme nuk kanë

guxim ta thojnë. Është bërë si në kohën e ish Jugosllavisë kur sanksionohej fjala e lirë . Sot në Kosovë ta

thuash të vërtetën është e dënueshme dhe nuk mund të kaloni pa pasoja. Baca Adem , si asnjëherë më

parë sot kemi nevojë të bashkohemi , sidomos ata që e pësuan në të kaluarën. Bacë , sot kur kalojmë

para torturuesve tanë në hetime , policë apo hetues e që janë sistemuar edhe më mirë në Kosovën

demokratike , para prokurorëve dhe gjykatësve që na dënuan , duhet ta ulim kokën dhe thuaja

turpërohemi për krimet që i kanë bërë ndaj nesh që e deshëm lirinë. Pra , dashja e lirisë edhe sot

llogaritet krim.

Sot o Baca Adem më shumë respektohet nga shokët tanë Gjat Macolli që kurrë dhe asgjë nuk ka bërë

për lirinë e Kosovës se ti që 30 vjet kalove nëpër të gjithë rrathët e Ferrit . Shokët tanë që janë

bastarduar atij i thonë bacë për faktin se ua ka mbushur cullën me mish dhe xhepat me para. Sot edhe

kullat e Adem Jasharit janë duke u shembur për të ndërtuar varre dhe memoriale për ata që nuk e

shkrepën , jo një plumb por edhe as një pordhë të vetme për lirinë e Kosovës. Bacë , atje ku je , mirë je

dhe shoq[rinë e ke shumë më të mirë , më të ndershme , më kombëtare dhe më besnike ; je me

Fehmiun dhe Xhevën , me Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën , me Ahmet Haxhiun dhe Remzi Ademajn,

me Adem , Hamëz dhe Shaban Jasharin , me Ilaz Kodrën dhe Abedin Rexhën , Ilir Konushevcin , Bahri

dhe Fahri Fazliun , me Shaban Polluzhën dhe Mehmet Gradicën , me Azem Bejtën dhe Shotë Galicën ,

Tahir dhe Nebih Mehajn sikur edhe me mësuesin politik dhe ushtarak që e kishe , Hasan Prishtinën.

Baca Adem , me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës edhe ty të përmenden , dikush sa për sy e

pa faqe , dikush me zemër e dikush me thembër. Besa , duke shkuar te varri i Him Govës, morrën në

thua edhe te varri yt dhe luftëtarëve që të shoqërojnë. U ndalën edhe te Ti, Albini dhe Vjosa. I kam

lexuar të gjitha ato që janë shkruar dhe folur për ty dhe më së shumti më ka bërë çudi deklarata e Hakiut

të Abazoviqe , të cilin Albini e bërë zëvendës të vetin. Ky Hakiu e ka bërë një postim shumë

përmbajtësorë , real dhe një pasqyrim të jetës dhe veprës sate. Bacë , nga njëherë është më mirë të të

mos ta vizitojnë fare varrin tënd se të vjen turli hala – huli para Historisë dhe Kutimit të Lirisë që ishe Ti

Bacë e që po mundohen ta prangosin në një hapësirë dy me një metër . Bacë , për ty po shkruajnë edhe

ata që nuk i ke dashur , edhe ata që nuk të kanë dashur asnjëherë dhe duket se ka ardhur koha të bëhet

ndryshe. Nëse jemi gjallë dhe shëndosh , e vazhdojmë edhe në të ardhmën siç e bënim sa ishim bashkë

me një grusht shokësh që ende e ndjejnë mungesën tënde ! Që ende të thërrasin dhe të konsiderojnë si

Bacë , si udhëheqës shpirtërorë dhe si një Enciklopedi të pashkruar deri më tani.