KULTURË

Plotësohet amaneti i Bekim Lumit, përcillet me shfaqjen “Arturo Ui”

Teatri Kombëtar i Kosovës ka mbajtur homazhe dhe mbledhje komemorative për aktorin dhe regjisorin e ndjerë, Bekim Lumi.

Teatri Kombëtar ka vendosur ta nderojë regjisorin Bekim Lumin duke inskenuar shfaqjen e tij në ditën e varrimit, teksa edhe arkivoli i Lumit ishte i vendosur në skenë.

Aktorja Gresa Pallaska tha se këtë shfaqje të mrekullueshme Bekim Lumi e ka lënë si një testament të tij të fundit artistik.

Sipas Pallaskës, e gjithë krijimtaria e tij është testament artistik.

“Bekim Lumi ka studiuar Gjuhë dhe lëtërsi shqipe në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës dhe po ashtu regji të artit në Akademi të Arteve të Bukura në Tiranë”.

“Ka punuar si gazetar i fushës së kulturës dhe regjisor i pavarur në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatrin Dodona. Disa nga shfaqjet e tij kryesore janë ‘Mësimi’, ‘Galani’, ‘Çifti i martun’, ‘Këmisha e gjakut’ , ‘Nëna dhe fëmijët’, si dhe e fundit ‘Arturo Ui’ dhe me shfaqjet e tij ka qenë pjesëmarrës në dhjetëra festivale ndërkombëtare”.

“Bekim Lumi është shpërblyer me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Bekim Lumi ka qenë redaktor i revistës për teatër ‘Loja’ dhe autor i dhjetëra shkrimeve, analizave, studimeve dhe eseve të teatrit. Nga viti 2013 ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve, dega e Regjisë së teatrit”.

Motra e Bekim Lumit, Drita Lumi, tha se Bekimi filloi herët idenë e artit të tij magjik, raporton EO.

“Kur e shohim tërë këtë dhimbje dhe dashni për Bekimin, e shohim sa të lumtur kemi qenë me Bekimin. Bekimi filloi herët idenë e artit të tijë magjik”.

Ajo falënderoi aktorët të cilët kishin punuar me Bekim Lumin.

“Ju faleminderit aktorë të tij, të cilët shkëlqyen në artin e tij filigran”.

Ajo tha se Bekimi na ka lënë lumturi dhe mesazhe artistike.

“Bekimi përmes shfaqjeve të tij, e sidomos kësaj të fundit, na la një lumturi artistike dhe një mesazh të fortë artistik për gjendjen në Kosovë”.

“Ai la një porosi të qartë që në të tjerët të punojmë sa më shumë të mos kemi një arsim të degraduar dhe një art të keq. Me shpresë se arti i Bekim Lumit të jete emblemë e skenës tonë teatrore”.

Pastaj aktori Afrim Kasapolli ka cituar një varg të pjesës nga shfaqja e Bekim Lumit.

Varrimi bëhet në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Në fund, të pranishëm si homazh mirënjohës dhe falënderimi.