EKONOMI

Planifikohet zbatimi i Ligjit për paga pa sistematizimin e vendeve të punës

Qeveria e Kosovës planifikon të vërë në zbatim Ligjin e ri për Paga pa u bërë sistematizimi i vendeve të punës. Ky proces nuk është realizuar, ndonëse Ekzekutivi kishte 9 muaj në dispozicion që të miratonte rregulloren për standardizimin e organizimit të brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, që do të derivonin nga ky ligj. Shkak për këtë, sipas Ministrisë së Administratës Publike, është situata e krijuar pas rënies së Qeverisë. Në këtë ministri shpresojnë që deri në dhjetor të formohet Qeveria e re dhe ajo të nënshkruajë 11 projekt-rregulloret që tashmë janë gati, shkruan sot Koha Ditore.

Në Ministrinë e Financave kanë thënë se Ligji për paga do të hyjë në fuqi nga 1 dhjetori dhe se të gjithë të punësuarit që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës do t’i marrin ato mbi bazën e ligjit të ri, i cili është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Është detyrim ligjor dhe prej datës kur kalkulohet me koeficient të ri, të gjithë të punësuarit do t’i marrin pagat mbi bazën e ligjit të ri, dhe ky do të jetë muaji dhjetor i këtij viti”, ka thënë për gazetën zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini. Sipas tij, mjetet financiare janë në buxhet dhe masa e pagave është e mjaftueshme dhe e buxhetuar për mbulimin e kësaj kostoje financiare.

Megjithatë, asnjëri nga institucionet nuk ka sqaruar se si do të fillojë zbatimi i ligjit pa u bërë sistematizimi i vendeve të punës. Një gjë e tillë ka krijuar edhe paqartësi tek të punësuarit, të cilët nuk kanë informata se çfarë pagash do të kenë pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Në MAP kanë thënë për gazetën se grupet për sistematizimin e vendeve të punës bazuar me ligjin e ri formohen pas miratimit të akteve nënligjore për legjislacionin e ri në Administratën Publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.