Kosova

Plani i Vuçiq për të rritur ndikimin në Kosovë përmes vendeve të rezervuara, reagon edhe Emilia Rexhepi

Kryetarja e Partisë së Re Demokratike, Emilia Rexhepi, në një intervistë për një medium boshnjak ka treguar se si Aleksander Vuçiq ka synuar që të marrë tri karriget e rezervuara për komunitetin boshnjak në Kuvendin e Kosovës.

Rexhepi në këtë intervistë ka thënë se dy prej deputetëve që do të ulen në karriget e rezervuara për boshnjakët në Kuvend, kanë marrë shumë vota në komunat e Kosovës me shumicë serbe.

“Sipas asaj që mund të dëgjojmë nga KQZ-ja, mandatet u fituan nga Adrijana Hoxhiq dhe dikush nga koalicioni Vakat”, ka thënë ajo.

Rexhepi thotë se ky është një ndikim i drejtpërdrejtë i Listës Serbe përmes Adriana Hoxhiq dhe se plani i Listës Serbe ka qenë që të merrnin tri vendet e rezervuara për boshnjakët.

“Kjo mund të shihet me votat që ata morën në të gjitha komunat serbe në Kosovë”, ka thënë ajo tutje.

Lidhur me këtë çështje ditë më parë kishte reaguar edhe Duda Balje e cila ka akuzuar Vakatin për bashkëpunim me Listën Serbe.