Kombëtare

Plani i Policisë për qarkullimin me automjete në kryeqytet gjatë 1 Majit

Policia e Kosovës, rajoni i Prishtinës, ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet apo bllokimet e plota të segmenteve rrugore në kryeqytet me qëllim të rregullimit të trafikut për 1 Maj, duke u bazuar nga përvojat e kaluara.

Policia në një njoftim ka thënë se është konstatuar se përveç qytetarëve të kryeqytetit, parkut të Gërmisë për Ditën e Punëtorëve i drejtohen edhe qytetarë nga komunat tjera. Si rrjedhojë, për të evituar bllokadat e mundshme do të ketë veprime të policisë për të lehtësuar qarkullimin. Në këto masa përfshihen ndalimi dhe ridrejtimi i të gjitha veturave në tri udhëkryqe në rrugën kryesore për Gërmi.

“Edhe këtë vit Policia e Kosovës në bashkëpunim me KK-Prishtinë, për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, aksidentet eventuale, për të mundësuar një transport publik të qytetarëve në suaza të normales, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me rrugën kryesore që lidhë qytetin me parkun e Gërmisë, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve”.

“Në këtë kontekst, policia do të ndalojë dhe ridrejtojë të gjitha veturat përveç atyre të banorëve të lagjeve që lidhen me parkun Gërmia (Sofali, Tauk Bahqe), autobusëve të Trafikut Urban, automjeteve të Emergjencës, të Hortikulturës, KRM ‘Pastrimi’, Drejtorisë së Inspeksionit të KK Prishtinë, të KFOR-it, të EULEX-it si dhe veturave të PK-së, të cilat janë të angazhuara në këtë operacion”, thuhet në njoftim.

Ndalja dhe ridrejtimi i të gjitha veturave do të bëhet në:

Kryqëzimin e rrugëve “1 Tetori”, “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paçarizi”; (Kryqëzimi Velani)

Kryqëzimin e rrugëve “Nazim Gafurri”, “ Xhavit Ahmeti” dhe “ Dr. Lec Gradica”; (Kryqëzimi te ish rruga Bledi)

Kryqëzimin e rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë në drejtim të Pishinës dhe parkut “Gërmia”.

Përveç patrullave që do të jenë prezent në atë pjesë të qytetit, Drejtoria Rajonale e Policisë do të vendosë edhe një pikë statike (automjet të policisë), për të qenë sa më pranë qytetarëve për t’u ofruar shërbime sa më të mira sigurie.

Njësitet policore të DRP- Prishtinë, do t’i mbulojnë edhe akset rrugore që shpien në drejtim të liqenit të Batllavës dhe atij të Badovcit, pasi që ato zona gjatë shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Punës, gjithashtu frekuentohen nga qytetarë të shumtë.

Operacioni në fjalë do të fillojë të implementohet që në orët e hershme të datës 01.05.2019, andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten me këtë rast në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre me vetura.