Kosova

Plaçkitja e Thesarit/ Transferi i parave kalon nga disa persona, thotë avokati i Labinot Grudës

Veton Rrecaj, avokat i Labinot Grudës, të dyshuarit për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, ka thënë se klienti i tij është befasuar nga akuzat që po i bëhen për vjedhje.

Rrecaj ka mohuar se Gruda është fajtor i këtij rasti, ndërsa përmend se si ka mund të kryhej ky transaksion.

”Klienti im e ka spjeguar në mënyrë të qartë, mënyrën e transferimit të parave”.

”Mënyra e transferit të parave kalon nëpër disa persona. Në asnjë mënyrë nuk mund një person të alokojë mjetet e caktuara”.

”Ky nuk ka transferuar hiç”.

”Ky është i dyshuar. Ky thuhet se ka krijuar disa user-a, por ai është vetëm dyshim i prokurorisë, por ne jemi të bindur se asgjë involvuese klienti im nuk ka ndërmarrë. Në bazë të konsultimeve me të njëjtin, dhe në bazë të provave materiale”.

Sipas avokatit të Labinot Grudës, mjaftojnë deklarimet edhe provat materiale për të dëshmuar se klienti i tij nuk ishte i përfshirë në këtë rast.

”Por provat materiale për momentin janë në duar të hetuesisë. Sipas informatave ka kamera, por neve nuk na tregojnë as incizimet apo diçka tjetër”.