SPORT

Pingpongistët e klubit Priping dhuruan gjak për Covid-19

Lojtarët e klubit të pingpongut nga kryeqyteti, KPP Priping, i janë përgjigjur thirrjes së Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut duke dhuruar gjak për personat e prekur nga Covid-19, të cilët kanë nevojë për gjak në këtë kohe pandemie.

Pingpongistët e klubit KPP Priping së bashku me kryesinë e klubit, sot në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut kanë dhuruar gjak për personat, të cilët janë në gjendje më të rëndë nga infektimi me virusin Covid-19.

Drejtoresha e qendrës znj. Bukurije Zhubi së bashku me stafin e saj, mirëpritën gatishmërinë e lojtarëve të KPP Priping për të dhuruar gjak. Ajo falënderoi pingpongistët për këtë iniciativë, si dhe njoftoi lojtarët për benefitet që sjell dhurimi i gjakut.

“Ju falënderojmë për këtë iniciativë shumë të nevojshme në këtë kohë pandemie, ne jemi shumë mirënjohës për kontributin e secilit qytetar, që dhuron gjak. Përveç që shpëtoni jetë duke dhuruar gjak, ju i bëni mirë edhe trupit tuaj duke dhuruar gjak” u shpreh Zhubi.

Ndërsa kryetari i klubit Nehat Çitaku u shpreh se klubi Priping do të bëhet dhurues i rregullit duke pasur parasysh nevojën e madhe për këtë shërbim. Po ashtu, ai bëri thirrje që të gjithë sportistët t’i bashkëngjiten kësaj iniciative për të shpëtuar jetë.


“Ne si klub po dhurojmë gjak për personat e infektuar nga virusi Covid-19. Këtë aktivitet do ta bëjmë të rregullt në klubin tonë, që të mundësojmë shpëtimin e jetëve e njëkohësisht për të forcuar trupin tonë.” tha ai.

Klubi i pingpongut  KPP Priping  ju fton të dhuroni gjak e të shpëtoni jetë! /Kosova.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.