INTERVISTA

Pika e shpresës

Përfaqësuesja e Kosovës barazoi ndaj asaj të Bullgarisë me rezultat 1-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ndeshja ishte e vlefshme për kualifikimet “Euro 2020” dhe ishte e para për ‘Dardanët’ në kuadër të Grupit A.

Pika e fituar jep shpresë për të ardhmen e Kosovës.
Përfaqësuesja e Kosovës e ka zhvilluar ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Evropian kundër Bullgarisë, me të cilën luajti baras 1:1. Ky barazim vjen pas një barazimit tjetër (2:2) në ndeshjen miqësore me Danimarkën, por loja e treguar e të përzgjedhurve të trajnerit Bernard Challandes nuk ishte si ajo me danezët. Kjo edhe mund të arsyetohet për faktin se djemtë tanë ishin para një kundërshtari serioz dhe se lufta për pikë dallon shumë nga një miqësore.


“Kosova është dashur të fitojë”


Përzgjedhësi i parë i Kosovës, Ajet Shosholli, duke folur për “Zërin” tha se në ndeshjen me Bulgarinë nuk është dashur të paraqiten në lojë futbollistët e lënduar Benjamin Kololli dhe Hekuran Kryeziu, ndërsa në bazë të lojës së treguar, posaçërisht në pjesëlojën e dytë Kosova është dashur të fitojë. “Në bazë të lojës që treguam, posaçërisht në pjesën e dytë, ne e merituam fitoren, edhe pse edhe në pjesën e parë ne krijuam tri raste shumë të mira për shënim, por ishte portieri mysafir që ishte në formë shumë të mirë”, tha Shosholli, duke shtuar se bullgarët kishin ardhur me qëllim që të mos e humbin ndeshjen.

Tutje Shosholli theksoi se pozicionimi i tyre në fushë ishte shumë i ngjeshur në të gjitha repartet e që është karakteristikë e të gjitha shteteve të Lindjes. Më pas trajneri me përvojë tha se dëshira e madhe për të shënuar dhe për të fituar që në start e bëri të veten që të mos e kemi edhe përqendrimin e duhur para portës kundërshtare.

Ndërkohë Shosholli foli edhe për të lënduarit Benjamin Kololli dhe Hekuran Kryeziu, të cilët u paraqitën në ndeshjen me Bullgarinë. “Sigurisht se lëndimet e Kryeziut dhe të Kolollit kanë pasur pasoja tek ata dhe është reflektuar edhe në lojën tonë, posaçërisht Kololli, i cili deri më tani i ka luajtur tri role me shumë sukses: si mbrojtës, si sulmues krahu në fazën ofensive dhe si mesfushor. Dëshira e madhe për rezultat të plotë e ka shtyrë përzgjedhësin që ata të paraqiten ashtu, por mendoj se është vonuar me ndërrimin e Kolollit”, saktësoi Shosholli.

A janë biletat VIP me pagesë?

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i tha gazetës “Zëri” se ecuria e dy ndeshjeve ka qenë shumë e mirë, duke shtuar se në të dyja ndeshjet nuk ka pasur asnjë ekses. “Ecuria e dy ndeshjeve ka qenë shumë e mirë. Ndeshja miqësore ka kritere pak më të buta. Nuk ka pasur incidente, përshkrimi i delegatëve ka qenë shumë i mirë. Ndërsa ndeshja ndaj Bullgarisë ka pasur karakter garues. Ekipi i Danimarkës ka qenë më se i kënaqur me pritjen, ashtu si edhe kryetari i Federatës Daneze me sjelljet e tifozëve dhe të gjitha këto kanë efekt pozitiv në organizim. Në ndeshjen ndaj Bullgarisë nuk ka pasur asnjë incident”, ka thënë Salihu, të cilit i kanë pëlqyer shumë sjelljet e tifozëve “Dardanët”. “Sjelljet e ‘Dardanëve’ ishin të mrekullueshme, nuk kanë pasur kore raciste dhe nuk kanë dalë asnjëherë jashtë kontrollit. Kjo është një dashuri që duhet kultivuar, nuk duam të bëhemi si federatat tjera. Sa i përket futjes së dy tifozëve në ndeshjen ndaj Danimarkës, ende nuk na ka ardhur dënimi nga Komisioni Disiplinor dhe ai i Etikës e sigurisht se do të vijë më vonë”, vazhdoi Salihu.
Tutje Salihu e ka komentuar edhe çështjen e biletave. “Ajo që është shqetësuese është puna e biletave. Kemi shumë probleme me biletat. Jemi duke e shqyrtuar që të gjitha biletat të dalin në shitje që edhe punëtorët e Federatës nëse duan të futen në stadium ta blejnë biletën. Ka shumë shpenzime për VIP, shumë institucione lajmërohen për bileta dhe ne nuk mundemi të vazhdojmë kështu”, vazhdoi Salihu, duke menduar për ndonjë zgjidhje tjetër për biletat. “Po mendojmë ta gjejmë një zgjidhje. Personalisht, kam qenë i ulur në fund të tribunës VIP në mes të dyja karrigeve që të mos më shoh askush. Secili e shikon interesin e vet dhe nuk interesohen për Federatën. Po e shqyrtojmë mundësinë që të gjitha biletat VIP t’i bëjmë me pagesë dhe kush do të vijë për të ngrënë e për të pirë le të paguajë. Është e pandershme që dikush të vijë dhe të kërkojë bileta në emër të institucionit”, tha Eroll Salihu për “Zërin”.

Biletat e ndeshjes Kosova – Bullgaria u avulluan për 2-3 orë

Interesimi për bileta për dy ndeshjet e marsit, që Kosova i zhvilloi në Prishtinë, ka qenë jashtëzakonisht i madh. Edhe në këto dy ndeshje biletat u shitën në sistemin online përmes aplikacionit “tiks.app”, sistem i cili kësaj radhe funksionoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Interesimi i tifozëve për këto dy ndeshje ishte i jashtëzakonshëm, ku për ndeshjen me Bullgarinë biletat u shitën për tri orë.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” zyrtarja për informim në Federatën e Futbollit të Kosovës, Diturie Hoxha, ka pohuar se shitja e biletave ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pa asnjë problem në proces. “Shitja e biletave ka shkuar shumë mirë, nuk ka pasur probleme”, u shpreh fillimisht Diturie Hoxha.

Tutje Hoxha ka zbuluar edhe periudhën kohore gjatë së cilës janë shitur biletat për ndeshjet ndaj Danimarkës dhe Bullgarisë. “Biletat për ndeshjen kundër Bullgarisë janë shitur për dy-tri orë të gjitha, ndërsa për ndeshjen ndaj Danimarkës shitja ka shkuar pak më ngadalë dhe pa probleme”, vlerësoi Diturie Hoxha.

Për fund Hoxha ka zbuluar edhe numrin e përdoruesve të regjistruar në aplikacionin në fjalë, të cilët kërkonin bileta për këto dy ndeshje e që numri i lejuar për të blerë bileta për një person ka qenë tre. “Për ndeshjen ndaj Bullgarisë ka pasur mbi 100 mijë kërkesa për bileta, kurse për ndeshjen ndaj Danimarkës ka pasur rreth 84 mijë”, përfundoi Diturie Hoxha.

Kjo nënkupton se nga 184 mijë kërkesa, numri i biletave të kërkuara ka qenë rreth 550 mijë.

Me dy barazimet ndaj Danimarkës e Bullgarisë Kosova ka fituar pikë në FIFA, teksa në ranglistën e muajit prill pritet një ngritje e lehtë.

Fakt

100 mijë kërkesa për ndeshjen me Bullgarinë

“Për ndeshjen ndaj Bullgarisë ka pasur mbi 100 mijë kërkesa për bileta, kurse për ndeshjen ndaj Danimarkës ka pasur rreth 84 mijë”, përfundoi Diturie Hoxha.

Kjo nënkupton se nga 184 mijë kërkesa, numri i biletave të kërkuara ka qenë rreth 550 mijë.

Frikë nga Kosova

Ndeshja Kosova – Bullgaria, e cila u zhvillua mbrëmë (e hënë), në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, është përcjellë edhe nga shumë gazetarë bullgarë, raporton “Zëri.info”. Ata madje raportojnë se skuadra e tyre ua kishte pasur frikën futbollistëve të Kosovës, të cilët u shkaktonin probleme serioze futbollistëve të përzgjedhësit Petar Hubtchev. “Djemtë e Hubtchevit treguan karakter kundër një skuadre që po shkaktonte probleme serioze”, shkruan portali “sportal.bg”, përcjell “Zëri”.

Reagon UEFA-ja

Përfaqësuesja e Kosovës ka barazuar me rezultat 1-1 ndaj Bullgarisë në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e “Euro 2020”. “Dardanët” i kanë nisur me barazim ndeshjet eliminatore për Kampionatin Evropian pasi në stadiumin “Fadil Vokrri” kanë marrë një pikë në kuadër të Grupit A.

Faqja zyrtare e UEFA-s në një postim të rezultateve dhe të performancës më të mirë e ka përmendur edhe Kosovën. “Franca, Anglia dhe Turqia fitojnë, Portugalia e Serbia barazojnë, Kosova merr pikën e parë në kualifikimet për ‘Euro’”, shkruan UEFA në “Twitter”.

Vështirë për bullgarët

Portieri i Kombëtares së Bullgarisë Nikolay Mihaylov e ka pranuar që ndeshja ndaj Kosovës ishte e vështirë. Ai po ashtu ka vlerësuar Përfaqësuesen e Kosovës duke thënë se është një skuadër e re me lojtarë të talentuar, shkruan “Zëri”. “Kaluam kohë të vështira, por nuk prisnim diçka tjetër. Kosova është e re dhe ka skuadër të talentuar që na shkaktoi shumë probleme, por në pjesën e parë luajtëm më mirë. Pjesa e dytë na gjeti të lodhur dhe u dhamë atyre shumë mundësi”, ka thënë Mihaylov.

I rrezikonte bullgarët, prej kujt kishin frikë ata?

Mediet bullgare, duke shkruar për ndeshjen që u zhvillua të hënën në Prishtinë, thonë se futbollistët e Kosovës ishin shumë të motivuar për fitore, teksa ata e gëzonin përkrahjen e madhe të tifozëve. Portali “dnevnik.bg” shkruan se qendërsulmuesi Vedat Muriqi u kishte paraqitur shumë probleme, teksa ai ua kishte dridhur zemrat atyre. Kështu në minutën e 51-të Muriqi e pati një rast shumë të mirë shënimi, pasi gjuajtja e tij e qëlloi pingulen. Portali në fjalë saktëson se më i merituari për pikën e fituar nga ana e bullgarëve ishte portieri Mihaylov, i cili në 3-4 raste e shpëtoi portën e tyre.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483