SPORT

Phil Foden një futbollist që premton shumë

Të dielën e shkuar mesfushori Phil Foden pati një paraqitje të jashtëzakonshme për ta ndihmuar Manchester Cityn ta mposhtë Aston Villan (2:1) për të triumfuar në Carabao Cup. 

Foden në këtë ndeshje dukej si 19-vjeçar, por si një futbollist i moshës së pjekur. Por, në të vërtetë, mesfushori i talentuar ka bërë gjëra të jashtëzakonshme dhe është rritur shumë që nga debutimi i tij me ekipin e parë të Manchester Cityt, në moshën 17-vjeçare, shkruan sot Koha Ditore.

Foden, i cili do ta festojë ditëlindjen e tij të 20-të pas dy muajsh, është bërë baba një vit pas debutimit te skuadra e Cityt. Atij i erdhi në jetë një djalë, që e pagëzoi me emrin Ronnie. E ëma e birit të tij është e dashura e Fodenit, Rebecca Cooke. Dhe Foden fitoren ndaj Aston Villas, ku asistoi në golin e parë të realizuar nga Sergio Aguero, ia kushtoi pikërisht djalit Ronnie dhe të dashurës Rebecca. Për Fodenin, ky ishte trofeu i tetë me skuadrën e Ciyt në futbollin anglez. 

“Ky trofe është për dy persona shumë të rëndësishëm në jetën time, Ronnien dhe Rebeccan”, kishte shkruar Foden. Në fakt, Foden është shumë i dhënë pas familjes së tij. Vetëm dy muaj përpara se të firmoste kontratën e re me Cityn, që do ta mbante në stadiumin “Etihad” deri në verën e vitit 2024, ai vendosi që prindërve të tij t’ua bënte një dhuratë të veçantë. 

Ai ua bleu atyre një shtëpi në vlerë prej 2.5 milionë eurosh në vitin 2018 përpara se të firmoste kontratën me Cityn, në të cilën ka një pagë javore prej 50 mijë eurosh. Prejse është bërë baba, Foden ka pranuar se po ndihet shumë i lumtur, por ka pranuar se është detyruar të heqë dorë nga pasioni i madh i tij, peshkimi. 

“Peshkimin gjithmonë e kam dashur, por prejse ka ardhur në jetë Ronnie i jam përkushtuar atij. Shkaku i tij, e kam sakrifikuar peshkimin tani për tani”, ka pranuar Foden.