Kosova

Petroviq: Mozbardhja e vrasjes së Ivanoviqit, paralajmërim për vrasje të reja

Katër përfaqësuesit e partive nga komuniteti serb në Kosovë, Iniciativës Qytetare – SPD, SLS-ja, Partia Demokratike Progresiste, si dhe Partia e Serbëve të Kosovës, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media në Qendrën Mediale në Çagllavicë, lidhur me situatën e krijuar një vit pas vrasjes se ish-liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Moszbardhja e kësaj vrasje, sipas tyre do të sjellë vrasje të tjera, duke shtuar se nuk janë duke u ndjerë të sigurt për jetët e tyre dhe as të familjeve e bashkëpartiakëve të tyre. Një prej arsyeve, sipas tyre, është fakti që ata po trajtohen si “tradhtarë” nga pjesa tjetër e serbëve në Kosovë dhe Serbi.

Ksenia Bozhoviq, zëvendeskryetarja e SDP-së (ish-partisë së Ivanoviqit), ka thënë se nesër, më 16 janar, bëhet një vit nga vrasja e Ivanoviqit dhe ende nuk kanë përgjigje se kush e ka porositur dhe kush e ka vrarë atë.

Për të, është e paarsyeshme fakti që nuk u janë kthyer ende kamerat dhe incizimet e marra nga zyrat e kësaj partie në ditën kritike prej hetuesisë. Madje, sipas saj, marrja e atij materiali është bërë pa urdhër të gjykatës.

“Kemi kërkuar disa herë që të na i kthejnë ato incizime, por asgjë nuk na është kthyer. Nesër, në vendin ku është vrarë Ivanoviqi, do të mbajmë një organizim përkujtimor. I ftojmë të gjitha qytetarët, si dhe të gjitha institucionet që të na bashkëngjiten, sepse sot ka qenë Ivanoviqi, por nesër mund të jemi secili nga ne”, ka thënë Bozhoviq.

Kryetari i Partisë Demokratike Progresiste, Nenad Rashiq, ka thënë se pas vrasjes së Ivanoviqit do të duhen vite për ta kompensuar dëmin, pasi tanimë e kanë humbur të drejtën edhe për t`u shprehur lirshëm.

“Të gjithë e dimë se ajo vrasje ka qenë politike dhe si pasojë, ka bërë që zëri i serbëve në Kosovë të jetë më i ulët. Të gjithë ne qe jemi sot këtu kemi arsye që të frikësohemi për ndonjë përpjekje tjetër të radhës, jo vetëm ndaj neve, por edhe ndaj familjeve tona”, ka shtuar ai, raporton Koha.

Ndërkaq, Sllobodan Petroviq nga SLS-ja, ka thënë se moszgjidhja e vrasjes së Ivanoviqit mund të ndodhë që të sjellë deri te një ngjarje tjetër më të keqe apo të ngjashme.

“Nuk e di se a është shënjestër e radhës dikush nga ne, por sigurisht se dikush do të jetë. Moszgjidhja e këtij krimi, si dhe i krimeve të mëparshme, i ka inkurajuar ata që të kenë guxim ta bëjnë atë që e kanë bërë me Ivanoviqin”, ka shtuar ai.

Sa i përket ndalimeve që u janë bërë në Merdare, Petroviq, ka thënë se “ata që po tentojnë që t`i frikësojnë, nuk do ta arrijnë këtë”.

“I jemi drejtuar institucioneve në Beograd tri herë për të kuptuar arsyen e ndalesës tonë në kufi. Kemi dashur të dimë nëse ne jemi kriminelë apo kemi bërë diçka keq, por askush nuk ka kthyer kurrfarë përgjigje. E qartë se dikush dëshiron të na dërgojë një mesazh për të na frikësuar. Ne po trajtohemi sikur të ishim tradhtarë e si një grup që lirisht mund ta na rreh rrugës apo të na vrajë kujtdo që t`i teket e askush të mos jep përgjigje për këtë”, ka theksuar ai.