Kosova

Petkoviq në prag të takimit Kurti-Vuçiq: Kosova është fëmijë i fuqive perëndimore

Drejtori i  të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, tha se delegacioni i Beogradit po shkon në Bruksel për të luftuar, sepse, siç thotë ai, është i vetmi vend ku ata mund të flasin me Prishtinën.

Ai për RTS, tha se “Prishtina ishte duke gjeneruar një atmosferë “jashtëzakonisht të vështirë” përpara vazhdimit të dialogut në Bruksel.

Sipas tij, qëllimi i gjithçkaje është të minojë dialogun dhe të bëjë presion ndaj Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, transmeton Klankosova.tv.

“Ka një presion të madh ndaj Beogradit dhe Vuçiqit, dhe nga ana tjetër mbështetje të madhe nga perëndimi ndaj Kurtit i cili sillet në mënyrë të tillë që askush në perëndim të mos reagojë ndaj provokimeve, fyerjeve, kërcënimeve, sepse Kosova është një fëmijë i fuqive perëndimore dhe nuk duhet kritikuar kur ai bën një gabim, dhe Beogradi ka nevojë për të “, deklaroi Petkoviq.

Siç thotë ai, delegacioni serb shkon në Bruksel për të mbrojtur pozicionin e Beogradit.

Ai kujtoi se në samitin në Tiranë, Kurti hodhi nën këmbët e tij bashkëpunimin rajonal dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor, i cili do të ndihmonte në kapërcimin e problemeve.

“Ai e hedh poshtë deklaratën e dakorduar sepse dëshiron që Republika e Kosovës të shkruhet dhe kjo është e papranueshme për ne”, theksoi drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, transmeton Klankosova.tv.

Të martën, më 15 qershor Në Bruksel do të mbahet takimi i parë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.