Kosova

Petkoviq: Më vjen keq Rado, s’do të mund ta bëni Shqipërinë e madhe me Kurtin

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i tha kryetares së Lëvizjes Evropiane të Kosovës, Rada Trajkoviq në Twitter se mbështetja e serbëve në Kosovë ndaj saj është “gabim statistikor”.

Petkoviq tha se “i vjen keq” për Trajkoviqin, ndërsa duke iu drejtuar asaj, shtoi: “ju nuk do të jeni në gjendje ta bëni një Shqipëri të madhe me Kurtin”.

“Krahasuar me zgjedhjet e 2019, mbështetja e saj është edhe më e ulët në vitin 2021, ndërsa Lista Serbe mori 96,14% të votave serbe. Më vjen keq, Rado, ju nuk do të jeni në gjendje ta bëni një Shqipëri të madhe me Kurtin. Populli dhe historia fituan”, shkroi Petkoviq.

Ai reagoi ndaj postimit, në të cilin Rada Trajkoviq iu referua deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shkruar se “mbase ai nuk mund t’i blejë 95% të njerëzve, por ai mund t’i frikësojë ata”.

“Është e njëjta gjë në Korenë e Veriut. Dhe ju mund t’i ktheni ato në instrumente të mbijetesës suaj politike në mënyrë që të mund të ndryshoni votat e tyre në Kosovë si fotografi me listat e pakicave të tjera nën kontrollin tuaj”, shkroi Trajkoviq në Twitter.