Kosova

Petkoviq: Kurti po e prish dialogun dhe gjithçka që është rënë dakord

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e shkatërron dialogun.

Sipas Petkoviqit, i cili i konsideron kërcënim deklaratat e Kurtit për reciprocitetin, kryeministri i Kosovës po shkatërron gjithçka që është rënë dakord ndërmjet palëve dhe se po e destabilizon situatën.

“Çështja e të ashtuquajturit reciprocitet është në të vërtetë një eufemizëm për ngritjen e barrierave të reja ekonomike ndaj të cilave serbët në Kosovë dhe Beograd u ekspozuan gjatë taksës 100% anti-civilizim. Prandaj, në vend që të paralajmërojë lëvizje të njëanshme që dëmtojnë drejtpërdrejt dialogun, Kurti duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, th Petkoviq.

Petkoviq shton se duke dalë kundër nismës “Ballkani i Hapur”, Kurti edhe një herë tregoi “gjithë dritëshkurtësinë e tij politike dhe të mbërthyer në të kaluarën”.

“Është më se e qartë se nuk ka dëgjim në Prishtinë për ndonjë ide inovatore politike nëse ka të bëjë me Beogradin dhe se e vetmja politikë që ndjek Prishtina është urrejtja, kërcënimet dhe shantazhet e zhveshura”, tha Petkoviq.