Bota

Pesë të vrarë e dhjetëra të lënduar nga protestat në Irak

Së paku pesë protestues janë vrarë dhe mbi 175 të tjerë u lënduan të premten gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë në qytetin jugor irakian, Nassiriya.

Sipas një burimi të shëndetësisë, shumica e viktimave kanë vdekur nga plagët e shkaktuara nga plumbat. Përpos protestuesve, në trazira u lënduan edhe 57 pjesëtarë të forcave të sigurisë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Përleshjet vazhduan edhe të premten në mbrëmje pas një jave të dhunës që shpërtheu të dielën, kur forcat e sigurisë qëlluan me armë për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët ishin duke u përpjekur që t’i sulmojnë ndërtesat qeveritare.

Protestuesit po kërkojnë që guvernatori të japë dorëheqje dhe gjithashtu po kërkojnë drejtësi për protestuesit e vrarë që nga viti 2019.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, tha se i ka verifikuar videot nga protesta në Nassirya, ku dëgjihen qartë të shtënat dhe shihen protestuesit e vdekur në rrugë.

Ali Bayati, anëtar i Këshillit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, tha: “Situata është jashtë kontrollit në Nassiriya dhe gjaku po derdhet përderisa qeveria po shikon.”