Kombëtare

Pesë (5) vjet burgim ndaj të pandehurit A.H. për dhunimin e të miturës

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamentit për të Mitur, sot më 1 prill 2019, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.H i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale dhunimi nga neni 230 paragrafi 4 nën paragrafi 4.2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Kadrije Goga – Lubishtani, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor,  të pandehurin A.H. për veprën penale të ngarkuar sipas aktakuzës, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej pesë (5) vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I pandehuri A.H, akuzohet se në dhjetor të vitit 2018 në Komunën e Ferizajt, përkatësisht në shtëpinë e tij, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – të mitur E., në atë mënyrë që posa e ka dërguar në shtëpinë e tij e ka futur në një dhomë dhe aty e ka detyruar për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, duke përdorur forcën me të cilin rast i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt. /Kosova.info/