Kosova

Përveç Albin Kurtit, edhe Kadri Veseli e Shpend Ahmeti ishin kërcënuar

Zyrtarë të Nismës por edhe të partive tjera kërcënuan me jetë publikisht njëri-tjetrin.

Të shtunën përmes një statusi në Facebook, Haxhi Hoti i Nismës Socialdemokrate, kërcënoi liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Ai shkroi se Kurti tani i ka dy rrugë, të ikë nga Kosova apo të vritet.

E menjëherë pas kësaj, Haxhi Hoti përfundoi nën prangat e policisë.

Por, ky nuk është rasti i vetëm që një zyrtar i Nismës, përfundon në stacionet policore.

Rreth 2 javë më parë, Ministri në Detyrë i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, sulmoi një gazetar tek Qendra Klinike Universitare e Kosovës, kur ai po e bënte punën e tij.

E për këtë, Endrit Shala, ishte intervistuar nga Policia e Kosovës.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka thënë se lidhur me ketë rast, janë hapur hetimet.

E të përfshirë në sherr nga NISMA, nuk ishin vetëm Hoti e Shala.

Në muajin nëntor, Endrit Zabërgja, nipi i kreut të kësaj partie, Fatmir Limaj, u përfshi në një incident në  Qendrën për Numërime dhe Rezultate.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur pas një mosmarrëveshje që e kishin rreth një fletëvotimi.

Ndërkohë, kërcenim publik 3 muaj më parë kishte edhe nga deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba.

Ky në llogarinë e tij kishte shkruar se është i sigurt që Shpend Ahmeti nuk do të jetë më deputet e as kryetar komune, ndërsa vendin ku do të jetojë, ka të drejtë ta zgjedh sikurse Xhabir Zharku.

Ndërkohë rreth 3 vjet me parë, Alban Krasniqi,  bashkëshorti i deputetes së Lëvizjes Vetevendosje, Albulena Haxhiut, kishte kërcënuar me jete kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Krasniqi në një postim në Facebook, kishte shkruar se “pastë dorën e marë ai që e merr në shenjë Kadri Veselin”

Ndërsa po i njëjti, vitin e kaluar përmes një mesazhi e kishte kërcënuar ish-kryetarin e LVV-së, Visar Ymerin.