Kombëtare

Përsëri caktohet ekspertizë e hartografisë për përcaktimin e vendndodhjes së…

Gjykata Themelore në Pejë, të hënën, për të dytën herë më radhë ka vendosur të bëjë ekspertizë të hartografisë, për të përcaktuar vendndodhjen e të akuzuarit Binak Panxha, në kohën kur dyshohen të jenë vrarë vëllezërit Berisha në fshatin Kosuriq të Pejës.

Panxha akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes të rëndë ndaj vëllezërve Ramiz dhe Arsim Berisha, më 21 korrik të vitit 2017, në pyllin e fshatit Kosuriq të Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një vendim të tillë e mori kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, pasi kompania “Vala” nuk e ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës së Pejës për të bërë ekspertizën e tillë dhe si rrjedhojë të njëjtit nuk ishin të pranishëm në seancën e së hënës.

Gjykatësi Sharraxhiu propozoi që të caktohet një ekspert tjetër i telekomunikacionit për përcaktimin e hartografisë të telefonit të pandehurit, ekspertizë kjo që sipas tij do të kryhet nga lista e ekspertëve të gjykatës.

Një propozim të tillë nuk e kundërshtoi prokurori Agron Galani, i cili theksoi se ekspertët e kompanisë “Vala” nuk kanë vepruar sipas urdhrit të gjykatës për kryerjen e ekspertizës.

Kundërshtime nuk pati as nga ana e mbrojtësit të pandehurit, avokatit Osman Cucoviq.

Ky i fundit i propozoi gjykatës që i mbrojturi i tij të lirohet nga masa e arrestit shtëpiak, mirëpo një propozim i tillë u refuzua nga gjykatësi Sharraxhiu.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 17 shtator 2020, duke filluar prej orës 10:00.

Ndryshe, në seancën fillestare të 17 gushtit 2018, Binak Panxha ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Binak Panxha akuzohet se më 21 korrik 2017, rreth orës 21:30, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.

Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të pandehurit.

Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drurë në pyllin e të pandehurit.

“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre se bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirr tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.

Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483