SPORT

Përse FBK-ja, e largoi Feronikelin dhe Lipjanin nga Superliga?

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) do të marrë në konsideratë rishqyrtimin e vendimit të javës së shkuar, me të cilin e largoi Feronikelin dhe Lipjanin nga Superliga.

Në fakt, në rend të ditës në mbledhjen e ardhshme të Bordit të FBK-së, do të jetë rishqyrtimi i këtij vendimi pas ankesave të Feronikelit dhe Lipjanit.

FBK-ja do ta rishqyrtojë vendimin për Feronikelin e Lipjanin

Mbledhja e ardhshme e Bordit të FBK-së do të mbahet në muajin e ardhshëm, kurse te Feronikeli e Lipjani po shpresojnë në shfuqizimin e vendimit të datës 22 maj. Të premten e shkuar, Bordi i FBK-së mori vendim se dy skuadrat e fundit në tabelë të këtij edicioni të anuluar – Feronikeli e Lipjani – të mos jenë pjesë e Superligës edicionin e ardhshëm, derisa Trepça që renditej e shtata do të luajë në plejaut për të siguruar mbetjen.

Edicioni në basketbollin kosovar, në ligat seniore, është anuluar për shkak të përhapjes së koronavirusit. Kampionët nuk janë shpallur, por rangimi aktual është marrë për bazë për përcaktimin e rënies dhe promovimit. Superliga këtë edicion ka numëruar nëntë skuadra, pasi Peja ishte riorganizuar dhe ishte përfshirë më vonë në gara. Bazuar në vendimin për rënie dhe promovim në Superligë, del se elita e basketbollit kosovar edicionin e ardhshëm do të ketë tetë ekipe, pasi Vëllaznimi si lider i Ligës së Parë është inkuadruar.

Ditë më parë, krahas ankesës, drejtuesit e Feronikelit kanë pasur edhe një takim me kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu. Ky i fundit, e ka konfirmuar takimin dhe ka thënë se kërkesën e Feronikelit dhe Lipjanit do ta paraqesë në mbledhjen e ardhshme të Bordit të FBK-së.