Kosova

Përplasjet e partive në Kuvend, një betejë për postin e presidentit?

Debatet në Kuvendin e Kosovës çdo herë e më shumë nga çështjet sociale, ekonomike dhe ato që janë jetësore po zhvendosen në fushën e patriotizmit.Kjo është bërë një fushë po thuaj e secilit subjekt të cilët në fjalime insistojnë se partia e tyre është mbrojtëse e interesave shtetërore, transmeton Kosova.info.

Subjekti qeverisës LDK kritikon forcat politike për mos mbështetje të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, segmente brenda koalicionit kërkon postin e presidentit, LV akuzon LDK për dialog duke nënvizuar se po paraqet rrezik për vendin duke përmendur të pagjeturit.

Ky diskurs i sforcuar nuk befason analistët.

Të gjitha këto përplasje për analistin Nexhmedin Spahiu kanë një emërtues të përbashkët, lufta për postin e presidentit.

“Janë shtyrje për pazar të vështirë në këtë kohë vendimtare për të zënë hapësirën e zbrazur me shkuarjen në Hagë të Hashim Thaçit e Kadri Veselit”, tha Spahiu për Kosova.info.

Megjithatë, këto përplasje në proceset pas-zgjedhore po ndikojnë në krijimin e koalicioneve.

Analisti politik Blerim Burjani beson se nuk do të kenë ndikime këto përplasje të gjithë kundër të gjithëve.

“Nuk besoj se do të kenë ndikimekëto përplasje. Këtu përjashtim bën LV që nuk kanë askënd afër nga subjektet politike, pra më së vështiri do ta ketë ajo ta formojë koalicionin me ndokënd prej tyre. AAK reflekton nëse ia falin postin e presidentit liderit të tyre Haradinaj, për këtë arsye kjo e fundit mund të bëjë koalicion me cilëndo prej tyre. Pra AAK është e hapur me të gjithë për koalicion, me kusht që Ramushit t’ia falin këtë post publik pa marr parasysh kapacitetet për të ushtruar këtë detyrë apo jo”, u shpreh ai për Kosova.info

Ndërkaq sipas tij, PDK dhe LDK mund të përafrohen.

“Më shumë për interesa, nuk e përjashton të bëhet një koalicion mes tyre. Edhe NISMA reflekton me secilin prej tyre që i jep pushtet dy ministra e kështu me radhë pra këtu s’ka parime”, tha Burjani./Kosova.info/