Përplasje mes ministres Hajdari dhe deputetëve opozitarë në Komisionin për Ekonomi

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar në mbledhjen e sotme Projektligjin për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut dhe Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

Debat dhe tensione mes ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari dhe deputetët opozitarë nxiti Projektligji për inspektoratin, ku ministrja theksoi se përmes të njëjtit kompetencat për inspektoratin do të barten në nivel qendror, derisa shtoi se inspektorët aktual në nivel komunal do të sistemohen në bazë të nevojave të komunave.

“Kemi pasur shumë diskutime për t’i bartur të gjithë inspektorët aktual që janë në nivel komunal, por nuk kemi gjetur këtë vullnet nga të gjitha komunat. Po ashtu është e pamundur që tani për tani të përcjellët ndryshimi i buxhetit lokal ose të nivelit komunal për këto paga të inspektorëve të tregut…Ne me ligjin e ri kemi bartur kompetencën në nivel qendror dhe do të zbatojmë këtë kompetencë që do të jetë e vetmja për mbikëqyrjen e inspektimeve të tregut. Kurse inspektorët komunal do të rrinë në komuna me buxhetin aktual dhe do të sistematizohen sipas nevojave të komunave”, tha ai.

Por me një dispozitë të tillë nuk u pajtua kryetari i Komisionit, deputeti Ferat Shala, i cili tha se de-facto po largohen inspektorët komunal nga struktura ligjore.

“Në bazë të kësaj që po e thoni, ju po i merrni kompetencat e inspektorateve komunale dhe i keni jashtë strukturës. De-facto ju po i largoni inspektorët komunal nga struktura ligjore, pa kompetenca, rroga kanë, a i mban komuna apo jo? Çka kanë me i mbajt komuna kur nuk kanë kompetenca”, theksoi ai.

Kundër u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, e cili kërkoi një zgjidhje që inspektorët komunal të kalojnë në kuadër të ministrisë.

“Të gjejmë një model që ata inspektorë komunal të kalojnë në kuadër të ministrisë, le të plotësohet numri me inspektorë komunal dhe mos të ketë përzierje të kompetenca. Mandej ku thash me shpall vende të reja të punës, pasi ne jemi të interesuar për vende të punës. Por nuk mundemi që inspektorët aktual që janë mos me ekzistuar dhe me shpallë konkurs të ri”, theksoi ajo.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se ky ligj është i mjegullisë dhe centralizimit të punës së inspektoratit.

“Me këtë qasje me këto veprime, juve iu duket se i keni 51 për qind, por do të vijnë zgjedhjet të tjera dhe keni me u mbajt mend për krejt çka keni bërë në këtë ministri, mos të flasim për të tjerat…Ky ligj është i mjegullisë, lënies në mëshirë të gjithë atyre që kanë punuar me vite dhe i pa definuar”, tha ai.

Gjatë tërë mbledhjes së komisionit, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku dhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, debatuan pa mikrofon me këshilltarin e ministres Hajdari, Kushtrim Dakaj. Për këtë arsye, kryesuesi i komisionit, Ferat Shala e përjashtoi atë nga mbledhja.

Në lidhje me këtë reagoi edhe ministrja Hajdari, e cila tha se këshilltari i tij reagoi pasi deputetët Lekaj dhe Bunjaku vazhdimisht e kishin bullizuar dhe sharë atë.

“A është e lejuar që unë të bullizohem nga deputetët që filluan me sharje më të ulëta, por a more ndonjë masë. Ka qenë bullziim i tërësishëm ndaj personalitetit tim nga deputeti Pal Lekaj dhe deputetja Bunjaku…Ai u indinjua më shumë kur nuk u përdorë mikrofoni por u përdorën fjalët që ky i dëgjoj më afër. Prandaj ishte një reagim i tillë”, tha ministrja Hajdari.

Krahas kësaj, komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit, ku u tha se qëllimi është krijimi i një ambienti më të sigurt dhe fuqizim i konsumatorit.

Go to TOP